Live

Opozita në SHBA, nga pushteti shkon vetëm deputeti Gjyshinca

18:14 / 01 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Një grup i politikanëve kosovarë kanë udhëtuar në Uashington, për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit në Kongresin Amerikan. Shumica e “delegacionit” kosovar përbëhet prej opozitarëve. Pushteti në këtë ngjarje përfaqësohet nga deputeti Gazmend Gjyshinca. Deri tani, nuk kanë shkuar as Presidentja Osmani, as Kryeparlamentari Konjufca, e as Kryeministri Kurti.

Lutjet e Mëngjesit janë një ceremoni në Kongresin Amerikan që mbahet çdo vjet, në të enjten e parë të shkurtit. Thuhet se diku te një e treta e pjesëmarrësve të përvitshëm janë nga jashtë SHBA-së. Kjo ngjarje është e njohur në Kosovë, pasi liderët zakonisht japin lajmin në fund të janarit se do të udhëtojnë në Uashington.

Kështu ndodhi edhe këtë vit, por ndryshe prej herave tjera, atje udhëtuan kryesisht liderët opozitarë.

Dy ish-kryeministrat Avdullah Hoti e Ramush Haradinaj dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kanë shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë javë. Të tre kanë njoftuar se në qendër të vizitës do ta kenë pjesëmarrjen në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit. 

PDK-ja njoftoi të dielën se lideri i saj do t’i kalonte disa ditë në SHBA. Përveç te Lutjet e Mëngjesit, ai thuhej se do realizonte edhe disa takime me zyrtarë amerikanë.

“Ai po ashtu do të ketë takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në të dy Dhomat e Kongresit Amerikan, atë të Përfaqësuesve dhe në Senat”, tha Zyra për Media e PDK-së.

Më pas, Krasniqi vazhdoi raportimin mbi vizitën e tij gjatë kësaj jave. Së fundmi, ai është takuar me Emisarin Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Hoti i LDK-së tha se po udhëtonte me disa kolegë deputetë për Lutjet, ndërsa do të takonte edhe përfaqësues amerikanë, për ta cilat lajmëroi në vazhdim.

“Sot, me disa kolegë deputetë, udhëtoj për Uashington për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Kongresin Amerikan — një ngjarje vjetore që mbledh politikanë nga shumë vende të botës. Gjatë tri ditëve të qëndrimit në Uashington do të takoj kongresistë e senatorë dhe miq e mbështetës të Kosovës nga ShBA-ja dhe vende të ndryshme”, kishte njoftuar Hoti.

Deri më tani dihet se nga Lëvizja Vetëvendosje ka udhëtuar deputeti Gazmend Gjyshinca.

“Në këtë qëndrim një javor jam ftuar të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në Kongresin Amerikan, në forumin kongresional mbi “Luftën në Ukrainë dhe influencën ruso-kineze në rajonin e Evropës Juglindore”. Si dhe për takime tjera me diplomatë e miq nga Departamenti Amerikan i Shtetit e nga shoqëria civile këtu”, ka shkruar Gjyshinca.

Nuk është dhënë asnjë njoftim nëse në këtë ceremoni do të marrin pjesë krerët e shtetit.

Në Uashington qëndron Haradinaj, që ka njoftuar për disa takime të mbajtura atje, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Sot, po e nisi një javë të vizitës sime në Uashington, ku do të qëndroj dhe do të marrë pjesë në ceremoninë “Lutjet e Mëngjesit”. Gjatë kësaj vizite do të kem një agjendë e cila do të përfshijë takime në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe takime tjera me institucione të rëndësishme”, ka shkruar Haradianj të hënën.

Në Lutjet e Mëngjesit, edhe këtë vit merr pjesë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Me ftesë të miqve anëtarë të Kongresit amerikan, nga e hëna do të qëndroj në Ëashington,D.C në ShBA – shtëpia e miqve të përjetshëm të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Me ftesë të miqve anëtar të Kongresit amerikan, nga e hëna do të qëndroj në Ëashington,D.C në ShBA – shtëpia e miqve të përjetshëm të Republikës së Kosovës.

Lutjet e Mëngjesit organizohen rregullisht që 70 vjet. Çdo President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni. Mediat amerikane raportojnë se Presidenti Joe Biden, pritet të marrë pjesë nesër në këtë ngjarje, siç ka bërë në vitin 2022.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...