Me rastin e shpalljes së kandidaturave për rektor të universitetit të Prishtinës, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka njoftuar se është duke hulumtuar kredencialet akademike të kandidateve.
Sipas një komunikate për media të ORCA-s në hulumtimin e kandidatit, Ilir Tolaj, ORCA ka zbuluar që në tezën e doktoratës së tij ka përbërje të theksuar të plagjiaturës nga një burim i vetëm.
“Doktorata ‘Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante’ e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj”, thuhet në komunikatë.
Ky disertacion sipas ORCA-s, i ka shërbyer Tolaj, që ta marrë gradën doktor i shkencave, për t’u punësuar në Universitetin e Prishtinës dhe për të mbajtur titull akademik.
Për ta dëshmuar, siç është thënë, plagjiaturën e Tolajt, ORCA të mërkurën ka dërguar një dosje në Këshillin e Etikës të UP-së.
“ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit”, thuhet në komunikatë.
Tutje theksohet se ata presin që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se Tolaj “ka kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës”.
Bazuar në të gjitha këto shkelje, ne presim që Këshilli i Etikës bazuar në kompetencat e përcaktuara në paragrafin 6 të nenit 2 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës të marrë këtë vendim duke shqiptuar: masën disiplinore sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: ‘ndërprerje të marrëdhënies së punës’ dhe masën disiplinore sipas nenit 8, Paragrafit 1, nënparagrafit 1.9: ‘revokim i gradës shkencore’ të doktorit të shkencave”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë ORCA ka bashkangjitur punimin e doktoratës së Tolajt dhe punimin shkencor nga i cili sipas tyre, ai ka kopjuar.