Live

Osmani e Gërvalla i shpenzuan afër 200 mijë euro për forumin dyditor

18:40 / 18 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani Sadriu, më 22 e 23 tetor u mbajt në Prishtinë edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS).

Ky forum i organizuar në tetor të këtij viti me iniciativë të presidentes Osmani në bashkëpunim me kryediplomaten Donika Gërvalla, ndonëse ishte vetëm dyditor i kushtoi këtyre dy institucioneve hiç më pak se rreth 200 mijë euro.

Këtë e ka konfirmuar edhe Zyra e Presidentit përmes një përgjigjeje zyrtare, pas kërkesës së bërë nga Demokracia.com për qasje në dokumente publike.

Zyra e Osmanit ka treguar se bashkëorganizatorët i kanë ndarë shpenzimet që janë bërë nga këto dy institucione për organizimin e këtij forumi dyditor.

“Totali i shpenzimeve për organizimin e Forumit dyditor është: 194,211.66 Euro”, thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentes Vjosa Osmani për Demokracia.com.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës do të mbulojë shpenzimet në vlerë 133,544.29 Euro. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbulojë shpenzimet në vlerë 60,667.37 Euro”, thuhej më tej në përgjigjen e zyrës së Osmanit.

E këto shpenzime u bënë për blerjen e biletave për disa të ftuar nga jashtë dhe panelistë, dhurata e shërbime protokollare, shërbime të PR-it, dreka, darka e akomodim të të ftuarve nga jashtë.

“Shpenzimet e Forumit janë bërë në kategori të ndryshme duke përfshirë:

-Biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve;

-Shërbime të përkthimit;

-Shërbime të zërimit;

-Dhurata dhe shërbime protokollare;

-Vetura me qira dhe shërbime të transportit;

-Shërbimeve të PR-it, përfshirë blerjen e domain-it, dizajnimin, mirëmbajtjen dhe hosting-un e uebfaqes; shërbimet e brendingut/dizajnimit të konceptit kreativ të Forumit, dizajnimin dhe printimin e të gjitha materialeve promovuese;

-Furnizim me flamuj;

-Shërbime të binave,

-Shërbime të ndriçimit;

-Akomodim të të ftuarve nga jashtë;

-Dreka dhe darka gjatë Forumit;

-Shërbime të printimit për materialet gjatë Forumit

-Sallat e takimeve dhe hapësirat në të cilat janë organizuar sesionet e Forumit;

-Dekorimi i sallave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Organizimi i këtij forumi ishte shoqëruar me kritika të shumta, pasi që aty u dekoruan gra ukrainase, por nuk u ftuan si paneliste asnjëra prej grave që ishin pjesë e luftës së UÇK-së, që aktualisht janë edhe deputete. Po ashtu, ndonëse forumi kishte për synim sigurinë, aty nuk ishte ftuar as vetë kryesuesja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, por as ish-deputete e figura kryesore të rezistencës siç është Flora Brovina.

I vetmi homolog që i kishte ardhur Osmanit është ai i Maltës, George Vella, i cili u bë “yll i forumit” ato ditë. 

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...