Live

Osmani i kërkon Zvicrës përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

14:40 / 17 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas Osmanit, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuuese për avancimin e të drejtave të njeriut.

Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë.

Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.

Në këtë kontekst, Osmani ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen ndaj Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua