Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavsky, ndërkaq fokusi kryesor i takimit ishte çështja e liberalizimit të vizave.
Osmani ka falënderuar ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.
Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.
Fokusi kryesor i takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Lipavský ishte çështja e liberalizimit të vizave. Në vazhdë të takimeve që ka pasur Presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.
Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe. Ajo ka theksuar se: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Krahas temës së liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë. Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.