Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli e ka mohuar se ka marrëdhënie të acaruara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Madje Pacolli ka vlerësuar se në këto tri vite të Qeverisjes Kurti, bashkëpunimi mes shteteve është thëlluar si asnjëherë më parë.
Ajo ka thekuar se vetëm për këto tri vite, janë nënshkruar 58 marrëveshje bilaterale mes palëve.
“Është më rëndësi të përmendim projektet që i kemi realizuar në bashkëpunim me Shqipërinë dhe nëse i krahasojmë projekte brenda tri viteve dhe ato që janë realizuar në të kaluarën ne jemi tepër më mirë. Pra nuk ka pasur thellim të bashkëpunimit asnjëherë më shumë se ne që ne kemi arritur ta bëjmë brenda këtyre tri viteve. Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruan 58 marrëveshje bilaterale”, është shprehur ajo në Tëvë 1.
Sipas Pacollit, nuk duhet që të flitet për prishje të marrëdhënieve me Shqipërinë, ShBA-në e BE-në bazuar vetëm në fotografi.
“Nëse i analizojmë vetëm ato në bazë të disa fotografive, në bazë të asaj se çfarë thuhet në media dhe të flasim për acarim të marrëdhënieve është më mirë ndoshta të flasim për punët të cilat janë bërë mes të dy shteteve, pra bashkëpunimi mes dy shteteve ku kemi arritur që brenda këtyre 3 viteve të Qeverisë Kurti, sepse është njëra nga qeveritë që është kritikuar dhe vazhdon të kritikohet se kinse kemi prishur marrëdhëniet tona me shtetin shqiptar po ashtu edhe me ShBA-të dhe BE-në”, ka shtuar ajo.