Live

Pajtohen pozita dhe opozita për reformën në drejtësi

15:57 / 21 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Pozitë dhe opozitë janë pajtuar për nevojën për reformë në sistemin e drejtësisë.

Në tryezën e KDI-së për reformën në drejtësi të mërkurën, partitë parlamentare thanë se është i nevojshëm konsensusi për këtë çështje, megjithatë nga opozita u kritikua Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca për qasjen e tyre për realizimin e kësaj reforme.

Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Hyseni tha se mazhoranca po punon vazhdimisht për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi.

“(Kemi) konsensus për të ecur përpara për reformat në drejtësi dhe këtë e ka dëshmuar edhe konsensusi që është arritur në procesin e vettingut. Deri tani kemi formimin e grupit ad-hoc që do të merret me hartimin e legjislacionit që ka të bëjë me procesin e vettingut”, tha ai.

Të gatshëm për konstruktivitet për reformën më drejtësi u shpreh edhe PDK-ja përmes deputetes Blerta Deliu. Mirëpo ajo kërkoi që ekzekutivi të ketë konsensus edhe me institucionet e drejtësisë.

“Për ne është e rëndësishme që krahas konsensusit që e kanë demonstruar forcat politike në Kosovë, të ketë konsensus të gjerë të qeverisë me institucionet e drejtësi në vend”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica, tha se reformat në drejtësi janë të vonshme.

“Tash është e pranuar në mënyrë kolektive që reformat në drejtësi janë të vonshme tani më. Rezultatet e një mangësie të skajshme të sistemit të drejtësisë po e shohim çdo ditë me parashkrimet e lëndëve, aktgjykimet që po merren dhe faktin se sot e kësaj dite ka shumë raste që hidhen poshtë për mënyrën si janë draftuar aktakuzat”, deklaroi ajo.

Në anën tjetër më kritik karshi ekzekutivit u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se mazhoranca po deformon sistemin e drejtësisë.

“Reformimin në sektorin e drejtësisë nga kjo qeveri nuk e shoh si reformim, por si deformim të reformës. Pra, është një deformim total i sistemit të drejtësisë”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, tha se është evidente që sistemi i drejtësisë ka ende mangësi.

“Është evidente se sistemi i drejtësisë ende ka mangësi dhe nevoja për reformë absolutisht është e nevojshme. Kjo është dëshmuar edhe në një sondazh që KDI ka realizuar gjatë këtij viti, kur qytetarët kërkojnë që të bëhet reformimi i sektorit të drejtësisë. Ata janë të pakënaqur me kualitetin e sundimit të ligjit në vend dhe kualitetin e institucioneve të drejtësisë dhe mënyrën si zhvillohen proceset në gjyqësor. Mbi 70 për qind e qytetarëve e përkrahin reformën në drejtësi, posaçërisht edhe këto iniciativat kryesore që kanë filluar, që janë themelimi i byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe zhvillimi i procesit të vettingut në gjyqësor”, deklaroi ajo.

Dje në Kuvendin e Kosovës është konstituuar komisioni ad-hoc për hartimin e legjislacionit për vettingun në Kosovë

Shpërndaje në

U Kopjua