Të gjithë punonjësit e sektorit publik dje kanë marrë pagat me ligjin e ri.
Dikush, me rritje e dikush me zbritje.
Shkak i kësaj janë shfaqur edhe pakënaqësi të shumta.
Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së, ka thënë sot se pagat e reja janë një degradim dhe tallje nga Qeveria.
Madje ai ka treguar se disa zyrtarë kanë njoftuar dorëheqjen nga puna.
Por, pavarësisht ekzekutimit të pagave me ligjin e ri, pakënaqësitë me këtë ligj po vazhdojnë dhe deponimi i ankesave për në Institucionin e Avokatit të Popullit(IAP) dita-ditës po rritet.
Deri më tani në këtë institucion janë deponuar gjithsej 40 ankesa.
Kjo është bërë e ditur nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 40 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik”, thuhet në përgjigjen e IAP-së.
Nga ky institucion kanë treguar se vetëm pas shqyrtimit të ligjit dhe ankesave, Avokati i Popullit do të del më një qëndrim për këtë çështje.
“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet më tutje në përgjigje.
Nga IAP kanë treguar se nga cilët sektor kanë pranuar ankesa.
“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj”, bëjnë të ditur nga IAP.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 4 janar të këtij viti shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Kurse, më 1 shkurt Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka bërë publik vlerën e koeficientit për vitin 2023 e që do të jetë 105 euro.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.
Projektligji i cili kishte nxitur reagime të shumta ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.
Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.
Në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik.
Sipas vendimit të asaj kohe, ky ligj nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.
Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj./Front Online