Fati i Naser Pajazitajt, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, tani është në dorë të Gjykatës Supreme.
Kjo pasi që mbrojtja e tij u ankua në këtë gjykatë, kundër aktgjykimit të shkallës së parë që e dënoi atë me burgim të përjetshëm, raporton KTV.
Pretendimet e mbrojtjes janë se gjykata e shkallës së parë nuk i kishte marrë për bazë katër prova mjaft të rëndësishme gjatë procesit gjyqësor, që mund ta lironin nga akuza të mbrojturin e tyre.
Mbrojtja thotë se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë dhe më pas vërtetimi i tij nga Gjykata e Apelit ishte gabim, andaj kërkon që i mbrojturi i tyre të lirohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.
Vetë Naser Pajazitaj i cili është dënuar me burg të përjetshëm pasi katër vjet më parë, në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj nuk ka pasur çka të shtojë në këtë seancë.
Në anën tjetër, Prokuroria aktgjykimin me burgim të përjetshëm e ka vlerësuar të duhur dhe kërkon që ankesa e mbrojtjes të refuzohet.
Tani i mbetet Gjykatës Supreme të vendosë nëse do ta vërtetojë burgimin e përjetshëm Naser Pajazitaj , ta ndryshojë atë duke ia ulur dënimin, ta kthejë rastin në rigjykim në shkallën e parë ose në Gjykatën e Apelit