Live

Pas dështimit të referendumit, sot mbahet seanca e parë në objektin e komunës së Zubin Potokut

09:23 / 26 Prill 2024

Nga Kosova Live

Sot do të mbahet një seancë e rregullt e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.

Kjo është seanca e parë që mbahet në objektin e komunës që pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të kaluar.

Këtë e konfirmoi mbrëmë në televizionin publik, edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkruan Kosovalive.net.

Kujtojmë se të dielën ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Serbët lokal të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, bojkotuan procesin e djeshëm të votimit, pas thirrjeve që bëri ditë Lista Serbe për bojkot të këtij procesi.

Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Ato i fituan dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje – Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq – dhe dy të Partisë Demokratike të Kosovës – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale është përcjellë me tensione të mëdha në maj të vitit të kaluar.

Si pasojë e situatës së krijuar të plagosur mbetën disa pjesëtarë të KFOR-it. BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023.

Shpërndaje në

U Kopjua