Live

PDK-ja mobilizohet në mbështetje të Marshit për Drejtësi – fton të gjithë qytetarët të bashkohen

13:19 / 31 Mars 2023

Nga Kosova Live

Partia Demokratike e Kosovës, në të gjitha nivelet dhe me të gjitha kapacitetet e saj, është duke u mobilizuar për pjesëmarrje masive në mbështetje të Marshit për Drejtësi, në shenjë solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Në një postim të faqes zyrtare të PDK-së në Facebook, janë publikuar dhjetëra foto të anëtarëve të Kryesisë, deputetëve të Grupit Parlamentar, Kryetarëve të Komunave që udhëhiqen nga PDK, drejtorëve, asamblistëve, strukturave dhe aktivistëve të PDK-së në të gjithë Kosovën me pankarta në mbështetje të këtij marshi.

“Kryetari Memli Krasniqi, anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar, Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK, drejtorët, asamblistët, Degët, Nëndegët dhe aktivistët PDK-së në të gjithë Kosovën, kanë dalë në mbështetje të këtij marshi fuqishëm dhe në të githa format – për të dërguar një mesazh të qartë, të drejtë dhe të ndjerë tek ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Liria Ka Emër – UÇK! Të dielën, me 2 prill, në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, të gjithë bashkë do të marshojmë për drejtësi: Për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, për drejtësinë e historisë tonë më të lavdishme, për ata që na sollën lirinë! Ejani të gjithë të Marshojmë për Drejtësi!”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua