Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë dhe ka njoftuar se nesër do të propozojë amandamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa tha se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike.
“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve. Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bënë politikë shkel-e-shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë. Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, shtoi ai.
PDK kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022.
“Shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë në këtë kohë të vështirë për qytetarët e Kosovës është plotësisht i papranueshëm. Për më tepër, rivlerësimi i pronave që çoi në shtrenjtimin e faturave është bërë duke u bazuar në metodologji dhe kritere jotransparente për publikun dhe duke mos i marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur për sa i përket zonimit dhe kërkesave të komunave për më tepër fleksibilitet në normat e tatimit në pronë. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”, theksoi Mustafa.
Ndërsa, deputeti Ferat Shala njoftoi se PDK ka një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës.
“Si Grup Parlamentar i PDK-së që nga nesër do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, theksoi ai.
Deputeti Shala tha se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.
“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; Zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; Kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj. Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”, tha ai.