Live

Përfundon dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së në rastin e Pjetës Shalës

11:49 / 30 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Hagër, ku e ka përfunduar dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin 7.

Në këtë seancë, trupi gjykues e pyeti dëshmitarin se për çfarë e kishte fjalën dje kur deklaroi se për djemtë perspektivat nuk ishin njësoj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Perspektiva, nuk kemi marrëdhënie pune, vëllai i madh ka qenë polic…”, tha dëshmitari, duke thënë se e ka fjalën për perspektivën në Kosovë.

Ai shtoi se nuk i kujtohet për sa kohë punoi vëllai i tij në Polici.

Dëshmitari 7 theksoi se i kishte dalë emri se ishte pranuar në Polici, por më pas ia kishin tërhequr.

Ai thotë se këto kanë mundësi të kenë ndodhur lidhur me ato që i kanë ndodhur babait të tij.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua