Derisa në veri të Kosovës janë dërguar trupa të Policisë së rendit pasi situata atje u tensionua, nga Serbia kanë ardhur disa deklarata ku paralajmëruan që në Kosovë të sjellin trupa ushtarake serbe, shkruan Periskopi.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2.
Ndërsa sot kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.
“Në këto rrethana, Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas rezolutës 1244, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë”, theksoi Bërnabiq.
Pas këtyre deklaratave ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati në një prononcim për Periskopin tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodh, derisa shtoi se “kërcënimet e tilla nuk na brengosin shumë dhe nuk do të duhej në të merremi me ato kërcënime”.
“Serbia le të harron atë tash e përgjithmonë. Në Kosovë nuk mundet me sjell askënd as polici as ushtri. Serbët në Kosovë munden me ardhë vetëm si turista. Unë për atë deklaratë të Serbisë nuk brengosem fare, unë brengosem për vendimet e qeverisë së Kosovës që merren pa u analizuar, dhe pa u koordinuara me miqtë tanë. Serbia le ta harron atë që vjen në Kosovë, ajo është kalume. Kosova është shtet, kërcënimet e tilla nuk na brengosin shumë dhe nuk do të duhej në të merremi me ato kërcënime. Por ne duhet t’i shikojmë punët tona, mos t’i keqësojmë marrëdhëniet me partnerët strategjik dhe të marrim vendime që mund t’i dalim deri në fund.”, tha Kastrati.