I dyshuari që u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës lidhur me rastin e një ton drogë në Pejë, Erion Eetemaj tashmë është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se Etemaj është kapur nga Policia në Shqipëri dhe brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesë për ekstradimin e tij.
Etemaj dyshohet se është i përfshirë në veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Ai dhe dy shtetas të tjerë të Shqipërisë janë shpallur në kërkim për këtë rast.
Në aksionin antidrogë në Pejë, Aleks Gerbi, 49-vjeçari nga Memaliaj – Tepelenë, shtetasi i Shqipërisë, u arrestua në vendin ku u shkatërruan 2,850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa e po ashtu u sekuestrua një sasi e madhe e marihuanës së gatshme për të dalë në treg.