Kosova por edhe vendet e tjera të Ballkanit, muajve të fundit kanë qenë cak i sulmeve kibernetike.
Policia e Kosovës në përgjigje për Kosovalive.net, kanë deklaruar se në dy vitet e fundit ka trajtuar 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare.
“Policia e Kosovës në vitet e fundit (Janar 2020 – Qershor 2022) ka trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Kosovalive.net.
PK ka bërë të ditur se disa prej formave të evidentuara janë: Mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale; Mashtrimet e bizneseve përmes internetit, “Peshkimi i të dhënave ose Phishing”, Klonimi i kartelave bankare”.
E lidhur më këto sulme të vazhdueshme, Qeveria e Kosovës me 4 shtator të këtij viti ka miratuar projektligjin për Sigurinë Kibernetike, shkruan Kosovalive.net.
Ky ligj pritet ta forcojë sigurinë kompjuterike në vend, pasi përpos shtimit të veprave penale të cilat kryhen me kompjuter dhe ashpërsimit të tyre ka paraparë edhe themelimin e Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike si dhe masa të shumta, duke përfshirë edhe themelimin e një pike kontakti në Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.
Policia e Kosovë në një përgjigje për KosovaLive.net ka deklaruar se përdorimi i internetit në vendin tonë është mbi 95%.
“Referuar statistikave ne autoritetet kompetente, shihet se ne vendin tonë përdorimi i internetit është mbi 95% në raport me numrin e popullsisë. Edhe depërtimi i qasjes fikse dhe mobile të internetit është në rritje krahasuar me periudhat raportuese të mëhershme, me theks të veçantë është qasja mobile ku rritja është shumë e lartë dhe si përfundim mund të nxjerrim se qytetarët Kosovës e të gjitha shtresave janë përdorues mjaft aktivë të internetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Ofrimi i shërbimeve të ndryshme online është në rritje ku institucionet publike dhe private për çdo ditë e më shumë orientojnë qasjen apo komunikimin me qytetarin përmes internetit. Shërbimet që ofrohen kanë të bëjnë me nevoja të përditshme të qytetarit siç janë komunikimet me e-mail, shërbimet financiare, shit-blerja e gjësendeve, aplikimet e ndryshme (punë, rezervime) etj.
Si rrjedhojë, hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale duke përdorur mjete dhe programe kompjuterike të sofistikuara. Qëllimi apo motivi kryesor i keqbërësve mbetet përfitimi material, por ka edhe motive tjera (thjesht për të treguar se mund të ndërhyjnë në një sistem kompjuterik, hakmarrje etj.).
Tutje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se qytetarët që bien viktima të keqbërësve në internet nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet gjatë përdorimit të internetit, shkruan Kosovalive.net.
“Policia e Kosovës trajton të gjitha rastet e denoncuara nga qytetarët dhe varësisht prej natyrës së tyre angazhohen edhe njësitë përkatëse. Kjo nënkupton se trajtohen edhe rastet që mundësohen të kryhen përmes internetit (mashtrimet, kanosjet, ngacmimet etj.) kurdo që denoncohen”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Raporti i Policisë Së Kosovës të evidentimit të rasteve si sulme kibernetike
Disa prej formave të evidentuara janë:
– Mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale
Tek këto raste, keqbërësit krijojnë faqe të rrejshme sidomos të atyre për blerje online dhe atyre bankare (e-banking) me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve. Qytetarët ose përdoruesit e internetit duke menduar se janë kyçur në një ueb-faqe të vërtetë për të blerë online, ofrojnë të dhënat personale bankare si dhe të dhëna tjera, ku keqbërësit pas sigurimit të këtyre të dhënave bankare dhe personale i shesin në tregjet e zeza si dhe i shfrytëzojnë që të bëjnë pagesa apo blerje të ndryshme.
Gjithashtu, vërehet se në këtë kohë kur njerëzit kanë nevojë për solidaritet dhe ndihmë, keqbërësit kibernetikë mundohen të përfitojnë duke mashtruar përmes platformave të ndryshme të donacionit.
– Mashtrimet e bizneseve përmes internetit
Tek këto raste, keqbërësit fillimisht arrijnë të kenë qasje në kompjuterin e biznesit (pronarit apo ndonjë kompjuter që posedon të dhëna për transaksionet financiare), monitorojnë dhe njihen me aktivitetet, pastaj në momentin kur fillon të realizohet transaksioni i të hollave ata ndërhyjnë duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarisë bankare. Në këtë mënyrë paratë përfundojnë në një bankë tjetër dhe nga aty bëhet tërheqja e tyre nga keqbërësit.
– “Peshkimi i të dhënave ose Phishing”
Tek këto raste, keqbërësit, duke shfrytëzuar viruse kompjuterike krijojnë linqe të ndryshme dhe të njëjtit i dërgojnë tek viktimat, pastaj posa të klikohet ky link viktimës i kërkohet që të ofroj të dhënat personale të rrjeteve sociale, të dhënat personale bankare, të dhënat e e-mail adresës etj., e gjithë kjo me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale dhe më pas keqpërdorimi i tyre për qëllime të ndryshme si: shantazh, ngacmim, vjedhja e identitetit dhe shfrytëzimi për qëllime të ndryshme, pagesa online, etj.
– Klonimi i kartelave bankare
Tek këto raste, të dhënat personale bankare të vjedhura në forma të ndryshme (faqe të rrejshme, përmes pajisjeve “skimming”, etj.) shfrytëzohen për të klonuar kartela bankare dhe pastaj përdoren për blerje dhe pagesa të ndryshme.
Përveç hetimit të rasteve, me qëllim që të minimizojmë kërcënimet e lartcekura dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit. Në vijim janë disa rekomandime të cilat ndihmojnë në mbrojtjen prej kërcënimeve nga interneti:
– Verifikoni me kujdes e-mail-at që pranoni dhe mos iu përgjigjuni e-mail-ave të dyshimtë!
– Mos klikoni në linqe të dyshimta dhe mos hapni dokumente të dyshimta!
– Bizneset të shtojnë kujdesin gjatë komunikimit dhe transaksioneve financiare përmes internetit. Verifikoni xhirollogaritë bankare dhe të dhënat tjera të partnerit biznesor dhe binduni se transaksioni financiar është duke u bërë në adresën e duhur.
– Kujdes të shtuar gjatë blerjeve online. Verifikoni ueb-faqet që ofrojnë produkte online (a kanë të dhëna kontaktuese – persona kontaktues, e-mail adresë, telefon, adresë fizike, a ka përdorues, vlerësimet dhe komentet e blerësve etj.).
– Kujdes të shtuar gjatë dhënies së donacioneve online, verifikoni disa herë nëse iniciativa është ligjore dhe legjitime dhe se kush qëndron prapa tyre.
– Shmangni lojërat shpërblyese në internet apo “ndihmën duke klikuar” ndaj ndonjë miku për të fituar ndonjë shpërblim në lojëra në internet.
– Kujdes maksimal kur jepni të dhëna personale dhe bankare në internet!/Kosovalive.net/