Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për rastin tragjik në fshatin Jabllanicë ku mbetën të vdekur tre fëmijë si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se me vendim të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë mbrëmë janë dërguar në IML për obduksion dhe rasti është inicuar “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Nga pamjet e publikuara rasti kishte ndodhur pasditen e së shtunës, në ora 16:35.
Tre fëmijët, sipas një banori, ishin gjetur nën gërmadha, kur gjatë kërkimeve kishin vënë re objektin e shembur, dhe kishin telefonuar fëmijët që po kërkonin, dhe telefonat e tyre kishin dridhur nën objektin e rrënuar.
Viktimat ishin nxjerrë nga gërmadhat me një traktor rreth orës 23:00.
Objekti i shembur, ishte i pabanueshëm qe 25 vite, dhe kohën që kishte funksionuar kishte qenë shitore.