Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar “Orenda” në Pejë është shprehur i shqetësuar dhe ka kërkuar falje për pamjet e rënda të rastit që ka ndodhur në këtë qendër.
Ai thotë se kanë vendosur të investojnë në vendlindje që të kenë mundësi më shumë qytetarë për vende pune, por që sipas tij ky rast tashmë i ka lënë të befasuar duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kujdesin që duhet treguar ndaj prindërve të familjarëve.
Por, Rasaj ishte në dijeni për rastet e keqtrajtimeve ndaj të moshuarve në këtë qendër.
Qytetari Tomor Hasani, ka bërë të ditur për Telegrafin se me datën 20.09.2021 përmes një e-maili, ka çuar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqtrajtimet që iu janë bërë vazhdimisht të moshuarve në “Orenda”.
Madje, sipas tij, pikërisht pronari i qendrës “Orenda”, Aton Rasaj, i ka bërë presion që ta tërheq ankesën nga ministria në fjalë.
“Fatkeqësisht pas ankesës time nuk është marrë asnjë masë nga institucioni në fjalë. Përkundrazi fëmijëve të familjares time që është e vendosur aty, u është bërë presion nga pronari i kësaj qendre Anton Rasaj, që të më bind ta tërheq këtë ankesë”, ka thënë Hasani.