Tre muaj më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar hetimet ndaj anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali. Emri i të cilës sot është stër përmendur për ndikimin e madh që ka brenda partisë së Albin Kurtit. Madje ajo po konsiderohet si “dora e hekurt” e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por pse Abdixhiku kërkonte hetim ndaj saj?
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali në llogarinë e saj në Facebook, shkruante se është në të drejtën e Kosovës ta mbrojë çka është aspiratë dhe domosdoshmëri për shtetin, lirinë dhe demokracinë.
“Kosova s’i ka borxh askujt. Është në të drejtën e saj ta mbrojë çka është aspiratë dhe domosdoshmëri për shtetin, lirinë dhe demokracinë. Sovranitet, barazi dhe integritet, asgjë më pak” – shkroi ajo.
E me këto deklarata, sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku përveç që atakohet shtyllat themeltare e shtetit të Kosovës, atakohet edhe rendin kushtetues. Dhe për këtë tha se i fton institucionet e sigurisë që të hetojnë.
“Besoj së këta njerëz në diskursin publik dhe angazhimin politik e kanë çdo veprim kundër shtetit të Kosovës, pra ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe kundër aleancave strategjike që Kosova i ka, pra haptas thonë që Kosova nuk i ka borxh Amerikës asgjë. Përveç që e ataktojnë rendin kushtetues, atakojnë edhe shtyllat themeltare të shtetit të Kosovës. Njëra mund të jetë çështje filozofike, njëra është vepër penale. I ftoj institucionet e sigursë për këtë. Nuk mund të jetë e rastësishme që një grup në vazhdimësi dhe historikisht ta atakojë Republikën e Kosovës dhe aleatët e saj ” – tha Abdixhiku, përcjell Insajderi.
Abdixhiku tha se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka njerëz që shtyjnë agjenda kundër Kosovës dhe interesave amerikane, duke përmendur veçanërisht një grup që vjen nga Tirana.
“Kam bindjen se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka njerëz që me apo pa qëllim, këtë duhet parë nga institucionet e sigurisë, shtyjnë agjenda edhe kundër Republikës së Kosovës, dhe atë haptas, dhe kundër interesave amerikane, dhe kryesisht flas për një grup që vjen nga Tirana, të cilët kanë rol politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe që sot në pushtet bën politika shtetërore”, tha Abdixhiku në Rubikon të Klan Kosova.
Ndërkohë, është deputeti i LVV-së, Haki Abazi i cili përmes një konference për media tha sot se Dejona Mihali është njeriu kryesor që kontrollon grupin parlamentar të Vetëvendosjes dhe vendimet që merren në këtë parti.
“Zonja Mihaili nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por, është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjet që bëhen aty”, u shpreh Abazi sot.
Por, si i komenton Dejona Mihali deklaratat e Abazit sot?
Në një përgjigje për Insajderin, Mihali tha se nuk është në dijeni për deklaratën e Abazit dhe se aktualisht është në takim.
“Jo, nuk i kam parë deklaratat, jam në një takim për momentin, kështu që juve punë të mbarë“, tha shkurt Mihali
Por, kush është zonja Mihali?
Ani pse Dejona Mihali është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, në web-faqen zyrtare të kësaj partie nuk gjendet biografia e saj, për dallim nga zyrtarët tjerë të VV’së. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘.
Për Dejona Mihalin dihet shumë pak. Ajo ka shmangur daljen para kamerave dhe angazhimin publik në Kosovë.
Ishte vera e vitit 2016, kur Policia e Kosovës ndaloi Dejona Mihalin të hynte në Kosovë. Ajo ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë, dhe nuk ishte lejuar që të futej brenda territorit të Kosovës.
Mihali nuk ishte parë në asnjë aktivitet publik në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kishte marrë ndonjë funksion publik gjatë Qeverisë Kurti I apo Qeverisë Kurti II.
Dejona Mihali nuk kishte qenë në mesin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ajo nuk ka garuar asnjëherë për asnjë funksion publik as në Republikën e Kosovës, për dallim nga kolegët Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha.
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, para pesë muajve i kishte kërcënuar edhe grevistët e arsimit parauniveristarë me pasoja të mëdha.