Live

“Qeveria nuk i konsultoi komunat për tatimin në pronë, shkeli parimin e qeverisjes së mirë dhe sundimin e ligjit”

21:25 / 26 Janar 2023

Nga Kosova Live

Banorët e qyteteve të Kosovës, kanë shprehur pakënaqësit e tyre në dy ditët e fundit se tatimi në pronë për vitin 2023 u ka ardhur dyfish më shtrenjtë në krahasim me vitin 2022.

Komunat e Kosovës kanë bërë përgjegjës për rritjen Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”, shkruan Kosovalive.net.

Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës se përgjithshme të pronës.

Kosovalive.net, ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës se si dhe në çfarë formash është bërë vlerësimi i pronave, dhe pas vlerësimit sa është përqindja e rritjes se çmimit të pronave të paluajtshme, por deri në publikimin e këtij teksti ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me këtë ka folur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai ka thënë se me ligjet aktuale në fuqi e sidomos me ligjin për tatimin në pronë, Ministria e Financave ka për detyrë të bëjë rivlerësimin e pronave në Republikën e Kosovës.

“Me ligjet aktuale në fuqi e sidomos me ligjin për tatimin në pronë, Ministria e Financave përkatësisht departamenti për vlerësimin e pronës e ka obligim ligjor, se në baza disa vjeçare e ka për detyrë të bëjë rivlerësimin e pronave në Republikën e Kosovës dhe kjo vitin e kaluar ka ndodhur dhënë bazë të rivlerësimit të pronave del që qytetarët e Republikës së Kosovës faturat do t’i paguajnë më shtrenjtë se sa vitin e kaluar”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi: Norma e tatimit ka ardhur si format nga niveli qendror

“Qytetari mendon se komuna e ka bërë një vendim të tillë, pra qytetari do të duhet të jetë i bindur që nuk ka ndryshuar norma e tatimit por ka ndryshuar vlera e pronës të ardhur si format nga niveli qendror. Rruga më e duhur që e prek xhepin e qytetarit e që ka të bëjë me komunën, duhet së pari të konsultohen me komunat”.

Ai thotë se në këtë rast komunat kanë qenë vetëm të njoftuar nga ministria për këtë proces por nuk kanë qenë të involuar në këtë proces, e disa komuna kanë pasur ankesa dhe kanë kërkuar edhe një rivlerësim që të jetë me objektiv e disa komuna nuk janë marr parasysh, e për  disa komuna niveli qendror nuk ka interesim për përcaktimin e vlerave të pronave.

Për t’a bërë sa më të qartë për qytetarët se e kanë të vështirë  të hulumtojnë bazën ligjore të hulumtojnë këtë temë, për Kosovalive.net, ka folur drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

“Është e vërtetë që komunat nuk e kanë rritur tatimin në pronë sepse vlera e njëjtë është në qytetet e ndryshme, pra nëse e marrim për bazë Prishtinën është që ka mbetur 0.15 % vlera e tatimit në pronë, do të  thotë për pronën e paluajtshme që e kanë qytetarët e Prishtinës ose qytetarët e Kosovës. Nga ana tjetër është se Ministria e Financave fatkeqësisht pa asnjë konsultim publik, pa analiza të duhura me të gjitha grupet e interesit ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2023, që të zbatoj ligjin dhe të rris vlerën e patundshmërive në Kosovë, me fjalë të tjera pra, nëse një banesë është vlerësuar deri më 31 dhjetor 40 mijë euro, nga 1 janari i këtij viti e njëjta ka marr vlerësimin 100 mijë apo 120 mijë euro e më shumë”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj, ka thënë se Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës e kanë zbatuar ligjin në aspektin juridik por duhet të ndiqen disa procedura dhe kërkohet që të ketë konsultim publik.

“Në aspektin juridik mund të themi që Ministria e Financave dhe Qeveria vetëm e kanë zbatuar ligjin, por edhe kur qeveri dhe Ministria e Financave e zbatojnë ligjin, atëherë janë disa procedura që duhet te ndiqen. Proceduara e parë duhet që për vendimet e tilla ku kanë ndikime financiare, zingjirë prej qytetarit, biznesit e grupeve të tjera të interesit kërkohet që të ketë konsultime publike”, ka thënë ai.

Konsultimi publik është një rregullore që është e miratuar nga qeveria e Kosovës, e cila obligon Ministrinë e Financave, Qeverinë dhe gjithë institucionet publike që para se të marrin vendime që prekin interesin e qytetarit, duhet të marrin mendime e komente dhe sugjerime të grupeve të interesit, e për ketë sipas drejtorit të institutit të IKD’së, Ehat Miftaraj, nuk ka ndodhur.

“Kjo nuk ka ndodhu, dhe është e pakuptimtë që qeveria të mos zhvilloj as kampanja vetëdijësuese apo kampanja informuese. Nëse Qeveria e Kosovës ka vendosur t’a marr një vendim të tillë, është dashur që t’i informoj qytetarët se nga 1 janari se do të rritet vlera e patundshmërive dhe me këtë do të rritet edhe tatimi në pronë automatikisht”, ka thënë Miftaraj./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua