Gazetar: Çlirim Qeriqi
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për kosovalive se gjasat më të mëdha për kryetar të ardhshëm të Këshillit Kombëtar Shqiptar i ka kandidatri i Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi. Por, kjo mund të ndodhë sipas tij nëse ditëve të ardhshme arrihet koalicioni, së paku midis dy apo më shumë partive shqiptare.
“E rëndësishme është se zgjedhjet kaluan pa incidente. Ka pasur pesë lista konkurruese, secila prej tyre kishte mundësi që të kandidojë nga 15 anëtarë, aq numër të këshilltarëve sa i kanë edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar, KKSH. Janë krijuar kushtet që dy ose tri parti politike të bëjnë koalicion. Potencianlisht mund të jetë kryetar kandidati i PVD-së, ai që ka numër më të madh të votuesve. Nëse arrihet marrëveshja atëherë ai mund të jetë kryetar i ardhshëm i KKSH-së”, theksoi Mustafa.
Sipas Ragmi Mustafa, ka përçarje në koncepte midis partive shqiptare por ekziston vetëm njëra prej tyre që përfaqëson sipas tij mashtrimin që “ne e quajmë Alternativa për mashtrimin, e kryetarit aktual Shqipërim Arifi”.
“Me Arifin, partneritetet janë të pamundura. Ai ka një subjekt fantom politik të krijuar në vitin 2016, kemi ende dilema se kush është financuesi i këtij subjekti politik, ka shumë enigma për të”, tha Mustafa.
Ai vijoi më tutje akuzat ndaj kryetarit aktual të Preshevës, duke e marrë shembull garën që e bëri ai me dy parti të vogla në zgjedhjet e fundit për deputet në Parlamentin e Serbisë dhe shumën e parave prej 200 mijë eurosh që e mori me këtë rast nga Beogradi.
“Ai nuk arriti as për qindjen e caktuar të votave ta marrë nga elektorati. Diku 200 mijë euro i ka alokuar qeveria e Serbisë për zgjedhje, dhe unë nuk e di se si mund t’i kthejë Arifi këto para kur nuk arriti të përmbushë kushtin as dy për qind. Ne e njohim si biznesmen në Kosovë, Behgjet Pacollin, ai nuk i lë në baltë këto para, e lerë më ky Arifi. Prandaj kemi enigma për të, nga vijnë këto para, pushtetin ai e sheh mbi bazën e trafikimit të këshilltarëve, trafikimin më votën e qytetarëve dhe jo me votën për t’i joshë qytetarët në Preshëvë”, tha Mustafa duke nënvizuar se kryetari i Preshevës është një përçarës i madh i shqiptarëve.