Live

Raporti i FMN-së përmend protestat e grevat në Kosovë: U rritën çmimet, por ende pagat

22:00 / 28 Janar 2023

Nga Kosova Live

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Kosovën, për vitin 2022. Shumë çështje përmenden në këtë raport, nga rimëkëmbja ekonomike, inflacioni, rritja e çmimeve, pagat, e deri të parashikimet për vitin 2023. Çka thuhet aty?

Fillimisht, konteksti kryesor i nxjerrë nga ky raport, është se rritja e çmimit të energjisë dhe ushqimit, pas agresionit rus në Ukrainë, ka rënduar kërkesën private, aktivitetin dhe inflacionin.

Në raport, bëhet e ditur qartë se Rritja Reale Ekonomike është ngadalësuar në 2-3 për qind gjatë vitit 2022, pas rimëkëmbjes me 10.7 për qind në vitin 2021. Po ashtu, thuhet se inflacioni u rrit në më shumë se 11 për qind.

Për vitin 2023, rritja parashihet të jetë mesatarisht deri në 3.5 për qind, dhe inflacioni të bie në 5 për qind. Por, potencohet se këto parashikime varen në mënyrë thelbësore nga supozimi se çmimet ndërkombëtare të mallrave do të lehtësohen.

“Pasiguria mbetet e lartë, me rreziqe për kahun rënës për rritjen, dhe kahun për lartë, për inflacionin.” – thuhet në raport.

Përmenden protestat e grevat

Në pikën dy të kontekstit të këtij raporti, flitet edhe për grevat e protestat.

“Kriza e kostos së jetesës e ka zhvendosur në masë të madhe fokusin e politikës në afat të shkurtër. Rritja e pagave ka vonuar inflacionin, duke shkaktuar protesta dhe grevë të mësuesve që vonuan fillimin e vitit shkollor. Inflacioni çoi gjithashtu në propozime të kushtueshme nga akterë të ndryshëm, si lejimi i tërheqjeve të mëtejshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ngrirja e çmimeve të energjisë elektrike ose rritja e përfitimeve të veteranëve të luftës, të cilat qeveria i ka kundërshtuar.” – thuhet aty.

Pos kësaj, përmendet edhe dialogu me Serbinë, proces ky që theksohet se ishte u turbullt për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Ligji për Pagat

Pika 13 e raportit, thotë se shpenzimet publike duhet të jenë më të balancuara mes transfereve sociale dhe promovimit të transformimit ekonomik. Kjo, bëhet e ditur se do të kërkojë përmirësim të transparencës, fokusit dhe përbërjes së shpenzimeve publike.

Poshtë kësaj, përmendet edhe Ligji për Pagat, për të cilin theksohet qartë se duhet të fillojë të implementohet në vitin 2023.

“Ligji rrit drejtësinë e kompensimit dhe redukton arbitraritetin dhe numrin e shtesave. Ndërsa ligji përpiqet të rezultojë në mbajtjen e talenteve në fusha kyçe si shëndeti dhe teknologjia e informacionit, ai mund të mos ofrojë stimuj të mjaftueshëm për të mbajtur talentin në rregullimin e shërbimit publik dhe në drejtësi.” – thuhet në pjesën ku flitet për ligjin e miratuar në dhjetor të vitit që lamë pas.

Por, Qeveria këshillohet që vlera e koeficientit të pagave (i cili nuk dihet ende), të vendoset në atë mënyrë që mos të shkelë kufirin ligjor, dhe konkurrueshmëria e sektorit privat mos të ndikohet negativisht.

“Ndërsa zbatimi i ligjit do të rezultojë në një rritje të garantuar të pagave nominale për shumicën e sektorëve (përfshirë shëndetësinë dhe arsimin), vlera e koeficientëve të pagave duhet të vendoset në mënyrë që fatura e pagave të mos shkelë kufirin e saj ligjor dhe që konkurrueshmëria e sektorit privat të mos ndikohet negativisht.” – thuhet në raport.

Tutje, përmendet se pagat e larta në sektorin publik, mund të pengojnë sektorin privat, duke e theksuar qartë se shumë kompani po përballen me mungesë të fuqisë punëtore.

“Pagat shumë të larta të sektorit publik mund të pengojnë vendet e punës në sektorin privat në një kohë kur firmat private po përjetojnë mungesë të fuqisë punëtore në disa zona.” – shkruan tutje.

Çmimet u rriten, pagat ende jo

Në fund, është edhe deklarimi i plotë i Drejtorit Ekzekutiv të FMN-së për Kosovën, Daniel Palotai, i cili theksoi se pagat ende nuk janë rritur.

Z.Palotai, përmend se pavarësisht rritjes së çmimeve, pagat dhe mëditjet nuk janë rritur ende, derisa Qeveria po punon për aktet nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e ligjit të ri.

“Pavarësisht rritjes së çmimeve, pagat dhe mëditjet nuk janë rritur deri më sot, duke qenë se Qeveria ishte në proces të miratimit të ligjit për pagat për të punësuarit në sektorin publik. Ky ligj synon të krijojë një sistem uniform të pagave në sektorin publik si dhe të krijojë një sistem transparent dhe të menaxhueshëm të pagave dhe shpërblimeve ku elementi kryesor është paga bazë. Ligji, i cili përcakton koeficientët për të gjitha pozitat në sektorin publik, është miratuar nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2022 dhe tani Qeveria po punon për kompletimin e akteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e këtij ligji të ri. Ndërkohë që ende nuk dihet kostoja e saktë e zbatimit, duke qenë se vlera e koeficientit nuk është vendosur ende, fatura e pagave e miratuar me buxhetin për vitin 2023 është më e lartë se shpenzimi aktual për këtë kategori në vitin 2022 për rreth 13 për qind.” – thuhet në deklaratën e tij.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...