Live

Reforma e skemave sociale nuk dihet se kur pritet të ndodhë

23:23 / 29 Mars 2023

Nga Kosova Live

Buxheti i Kosovës në një masë të madhe është i orientuar në skema sociale.

Partia në pushtet ka premtuar se do të bëjë një reformë të skemave sociale ku do të përfshihet edhe reforma e skemave pensionale, mirëpo ende nuk dihet se kur pritet që kjo të ndodhë. Megjithatë, është e paqartë nëse kjo do të ndodhë deri në afatin e fundit të dhënë nga Kushtetuesja më 15 korrik për ta draftuar nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, raporton RTK.

Për dy muaj e 18 ditë, Fatmir Bajramit nga Komuna e Prishtinës nuk po i njihet e drejta në pension si kontributpagues. Bajrami bashkë me punëtorë të tjerë të Radiotelevizionit të Prishtinës më 5 korrik të vitit 1990 ishin larguar nga puna nga forcat policore serbe. Edhe pse me kamerën e tij, ishte bërë dëshmitar i shumë ngjarjeve me vite të tëra, ai tani merr vetëm 100 euro si pension.

Kjo e drejtë nuk po u njihet edhe shumë pensionistëve tjerë të cilët me dhunë u dëbuan nga puna gjatë viteve të 90-ta nga regjimi serb. Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim përmes të cilit ua njihte kontributin punëtorëve të larguara nga puna gjatë atyre viteve.

Ndonëse afati i përcaktuar nga Kushtetuesja për të draftuar nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti është 15 korriku I këtij viti, mbetet e paqartë nëse do të arrihet që deri atëherë të ndodhë ndryshimi.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, edhe nëse Ligji për Skemat Sociale nuk ndryshohet deri në korrik, pensionistët të drejtën e kontributit mund ta fitojnë përmes padisë.

Janë rreth 150 mijë pensionistë që marrin pensionin bazik prej 100 eurove dhe rreth 49 mijë që e marrin pensionin kontributdhënës.

Shpërndaje në

U Kopjua