Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar për takimin që pritet të ndodhë mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, të enjten, në Berlin.
Kjo agjenci tregon se liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, transmeton Klan Kosova.
Sipas Reutersit, lëvizjet drejt integrimit më të afërt synojnë të sjellin stabilitet më të madh në një rajon që doli nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat etnike të viteve 1990 dhe është ende nën tension.
“Gjithashtu synohet të bëhet afrimi ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë me qëllimin e tyre të deklaruar për t’u integruar në Bashkimin Evropian fqinj, mes frikës për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon”.
“Serbia në veçanti, e cila u bombardua nga NATO dy dekada më parë, ka luftuar prej kohësh për të balancuar lidhjet e ngushta historikisht me Rusinë, kundër aspiratave për integrim ekonomik dhe politik me Perëndimin”.
Një nga zyrtarët e qeverisë gjermane tha të martën se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian apo të hyjë në një partneritet me Rusinë, transmeton Klan Kosova.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë të enjten në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit dhe BE-së si një ringjallje e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit” që paraardhësja e tij, Angela Merkel, e vuri në lëvizje.