Live

RND: Kosova e para në listën e vendeve më të rrezikshme të vitit 2023

12:01 / 27 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Rrjeti editorial gjerman (RND) e përfshiu Kosovën në mesin e shtatë vendeve më të rrezikshme të krizës në vitin 2023.

RND tregon se është e qartë se lufta është kthyer në Evropë dhe se të gjithë mund ta shohin këtë përmes agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe thekson se në vitin e ri, konfliktet kërcënojnë nga Kosova në Lindjen e Mesme.

“Mediat lokale raportuan shpërthime, të shtëna me armë dhe bllokime rrugësh. Më 11 dhjetor, burra të maskuar janë parë në barrikadat serbe duke bllokuar rrugët kryesore drejt kufirit serb. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit Eulex njoftoi se një nga patrullat e tij ishte sulmuar me një granatë trullosëse. Nuk ka të lënduar apo dëme, por përgjegjësit duhet të përmbahen nga provokime të mëtejshme”.

Rrjeti gjerman thekson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka konsideruar dërgimin e 1000 forcave serbe të sigurisë në Kosovë në atë që qeveria kosovare e sheh si një provokim kërcënues agresiv.

RND rikujton se sipas Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999, Serbia pranoi të tërheqë të gjitha forcat e sigurisë nga Kosova. Kjo ishte mënyra e vetme për të krijuar paqe në atë kohë. Kërkesa e Vuçiqit për forcat e sigurisë lexohet në Kosovën fqinje si retorikë lufte. Ministrja e Jashtme Federale Annalena Baerbock shkroi në Tëitter se kjo kërkesë ishte “plotësisht e papranueshme”.

“Për integrimin e serbëve, veçanërisht atyre në veri, në strukturat kosovare është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Me mbështetjen e qeverisë serbe në Beograd, qarqet nacionaliste serbe në Kosovë nuk po lënë gur pa lëvizur për ta penguar këtë, nëse është e nevojshme edhe me dhunë. Tani në veri po ngrihen sërish institucione paralele serbe, të cilat sipas marrëveshjes së Brukselit në fakt duhet të shpërbëhen”, shkruan RND.

Sipas tyre, qeveria nacionaliste e Serbisë nën Presidentin Aleksandër Vuçiq ndihet i inkurajuar nga Rusia për të rishikuar rezultatet e luftës që humbi në 1999. Vuçiq pretendon se serbët janë të shtypur në Kosovë dhe se ka plane për dëbimin e tyre nga Kosova. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kërkon bashkëpunimin e serbëve të moderuar. Ndërkohë, Evropa po përpiqet të ushtrojë presion ndaj Serbisë kandidate për anëtarësim në BE.

Shpërndaje në

U Kopjua