Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, në Emisionin N’Konak me Islam Morinën, ka treguar një moment tejet interesant, kur ishin kthyer nga bisedimet e Rambujesë dhe i kishin kërkuar ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi që të qëndronte në Tiranë për arsye koordinimi me ndërkombëtarët, por që ai refuzonte sepse donte me çdo kusht të kthehej në vijat e frontit në Kosovë.
“Unë me Jakupin kam nejtë 28 muaj me një dhomë burgu, 28 muaj me një dhomë burgu dhe burrnia e tij, qëndresa e tij, trimëria e tij gjatë burgut dhe gjatë luftës, se ne s’jemi nda as gjatë luftës asnjëherë, pothuajse kemi qenë gjithmonë bashkë ose shumicën e herëve bashkë. Bile bukur shumë na ka thënë fjalë të rënda mua dhe Hashimit atë ditë kur e kemi lënë në Tiranë mbas pjesës së dytë të konferencës së Rambujesë, se duhej me qenë dikush në Tiranë me komuniku me ndërkombëtarët. Na tha çka s’na tha se donte të vinte në Kosovë edhe ne i thamë o burrë dikush dihet të rrijë këtu se sepse është e domosdoshme për të qenë”, ka rrëfyer Ramë Buja momente nga veprimtaria e tij me Jakup Krasniqin.