Rreth 500 mijë euro pritet të kushtojë procesi i zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës.
Kështu ka bërë të ditur për Dukagjini zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill, është rreth 500 mijë euro”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë shpallur fillimisht për 18 dhjetor 2022, por, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, janë shtyrë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka thënë të mërkurën se asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.
Sipas njohësve të çështjeve politike, mosaplikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në këto zgjedhje, e rrezikon mbarëvajtjen e gjithë procesit.
Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Çështja e formimit të Asociacionit duhet të zgjidhet me Marrëveshjen drejt normalizimit të mbështetur nga BE-ja, të cilën e kanë pranuar edhe Kosova, por edhe Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se “do të duhet të merremi me atë formulim sa i përket vetëmenaxhimit për komunitetin serb”.
Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen drejt normalizimit, por ende nuk dihet se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.
Kurti, në disa raste, ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë formimin e asociacioneve njëetnike, sepse, sipas tij, të tillat rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.
“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.
Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.
Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.