Live

Rritet numri i përdoruesve të kokainës në Kosovë

11:52 / 23 Janar 2023

Nga Kosova Live

Vazhdon të rritet numri i përdoruesve të llojit të drogës kokainë. E ajo që po shqetëson edhe më shumë mjekët dhe qendrat që merren me trajtimin e të varurve nga drogat është lloji i përpunuar – krek-kokaina. Vlerësohet më e rrezikshme dhe mund të konsumohet kudo pa u vërejtur, pasi bëhet përmes tymosjes

Në Kosovë janë rreth 30.000 përdorues të drogës e 10.000 prej tyre konsiderohen problematikë ose të varur, që nënkupton se përdorin narkotikë më shumë se tri herë në javë, bazuar në të dhënat e qendrës për këshillim dhe trajtim të varësive nga droga “Labyrinth”.

Nga kjo qendër thonë se numri i përdoruesve të kokainës është rritur viteve të fundit, por ajo që po e shqetëson edhe më shumë “Labyrinthin” është përpunimi i drogës kokainë, nga e cila po përfitohet krek-kokaina.


Një përdorues i kësaj substance, i cili foli në kushte anonimiteti, ka thënë se kreku mund të përdoret në kafene, rrugë e kudo tjetër dhe nuk vërehet teksa konsumohet, pasi bëhet përmes tymosjes

“Nuk dinë të ngopen me të. Rrinë me ditë pa gjumë, ndodh 4 -5 ditë vetëm duke ngrehur. Nëse i keni 5 gramë, nuk fle derisa t’i pish”, ka thënë ai.

Ai është pishman për rrugën që ka zgjedhur, por vazhdon ta konsumojë atë.

“Mos hyni kësaj rruge, këtë mund ta them, se është rrugë pa krye”. “Vjen një kohë kur të bën për vete (droga), shembull trupin dhe psiqikën, më ti nuk mundesh me pasë kontroll në të, të kontrollon ajo ty tani. Kjo është smujë e keqe shumë”, ka shtuar ai.

Eksperti i varësisë në qendrën “Labyrinth”, Muharrem Ademi, thotë se numri i përdoruesve të drogave po rritet shpejt.

“Ka rritje tepër të shpejtë të përdoruesve të kokainës, gjithashtu trendët e rinj që kemi mundur t’i vërenim, sidomos dy vjetët e fundit, është rritja e numrit të përdoruesve të krekut apo ‘freebase cocaine’. Kreku është një drogë shumë varësi krijuese, domethënë është stimulant shumë i fuqishëm ku efektet dhe pasojat e saja janë mjaft të rrezikshme”, ka thënë Ademi.

Psikiatri Nysret Agani tregon se konsumimi i krek-kokainës përmes inhalimit është një prej formave që absorbohet shpejt në gjak dhe në këtë formë rritet varësia.

“Në ndryshimet në të menduar ndikon te pjesa ku mund të kemi përjetime të cilat nuk përkojnë me realitetin. Gjithashtu mund të shfaqet edhe një pasiguri e brendshme e fuqishme, humbje e oreksit apo pagjumësi kronike”, ka thënë Agani.

Samire Gashi – Braina, shefe e Repartit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë, thotë se nga viti 2005 QKUK-ja ofron trajtimin e detoksifikimit, mënyrë për trajtimin e të varurve nga droga. Sipas saj, deri më tash kësaj procedure i janë nënshtruar 150 pacientë.

Policia në periudhën 2019 – 2022 ka arrestuar 306 persona për përdorim ose shpërndarje të kokainës. Sasia më e madhe e konfiskuar ndodhi më 2021, kur në një aksion u kapën rreth 400 kg kokainë në Lipjan.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...