Live

Rusia e zemëruar me gatishmërinë e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

20:41 / 09 Mars 2023

Nga Kosova Live

Zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, është shprehur e indinjuar nga fakti se Serbia dhe Kosova kanë treguar gatishmëri për normalizimin e marrëdhënieve sipas planit të BE-së.

Duke shkruar në kanalin e saj në Telegram, Zakharova ka thënë se është e bindur se negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë të dënuara me fatin e “formatit të Normandisë” për Ukrainën.

“Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së ka të gjitha shanset për të përsëritur fatin e formatit të Normandisë. Ftoj të gjithë në rajon – ekspertë, politologë, natyrisht, gazetarë dhe publikun e gjerë – të mendojnë se çfarë roli do të luajnë marrëveshjet me Perëndimin dhe nëse e gjithë kjo është një përsëritje e historisë me formatin e Normandisë,”- është shprehur Zakharova.

Kujtojmë se formati i Normandisë, i njohur gjithashtu si grupi i kontaktit i Normandisë, është një grupim shtetesh që janë takuar disa herë në përpjekje për të zgjidhur luftën në Donbas dhe më gjerë konfliktin ruso-ukrainas. Grupi përbëhej nga Gjermania, Rusia, Franca dhe Ukraina – por pas pushtimit rus në Ukrainë, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky e ka cilësuar formatin të “shkatërruar”.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania vazhdojnë të jenë të përfshira në bisedimet e paqes midis dy vendeve duke ofruar mbështetje për Ukrainën, ndërsa dënojnë luftën e Rusisë.

Shpërndaje në

U Kopjua