Live

Sanksioni i radhës: ShBA nuk pranon vizita nga Kosova, as Kurtin

20:25 / 30 Maj 2023

Nga Kosova Live

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka qenë shumë i ashpër ndaj Kosovës në një bashkëbisedim që sot e zhvilloi me përfaqësues të mediave.

Në këtë bashkëbisedim, i dërguari i SHBA-së ka treguar se vendi i tij ka marrë vendim që Kosova të përjashtohet nga pjesëmarrja në ushtrimin “Defender Europe 2023”.

Veç kësaj, ai ka thënë se vendi i tij nuk do të lobojë te shtetet mosnjohëse që ato ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

E krejt këto veprime erdhën si pasojë e vendimit të qeverisë që të premten t’i dërgojë kryetarët shqiptarë të tri komunave në veri të vendit, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, me përcjellje policore në ndërtesat komunale.

Ky veprim i qeverisë acaroi popullatën lokale në veri, që është në shumicë serbe, duke u ballafaquar edhe dhunshëm me forcat policore të Kosovës.

Serbët lokalë dje u ballafaquan edhe me forcat e KFOR-it, duke lënë së paku 30 nga këta të fundit të lënduar.

E ashpër ndaj këtij vendimi të qeverisë ishte e tërë bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, por SHBA-ja në veçanti.

Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, paralajmëroi prishje të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Veprimet e tilla kanë eskaluar ashpër dhe panevojshëm situatën duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ato do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, raporton KlanKosova.tv.

E duke ndjekur linjën e Blinkenit, ambasadori Hovenier dha detaje të këtyre pasojave për Kosovën.

Ndër të tjera, ai tregoi se i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë këto veprime, por theksoi se kreu i ekzekutivit kosovar nuk i ka kthyer përgjigje fare.

Më poshtë, Klankosova.tv sjellë të plotë bisedën e Hovenierit me përfaqësues të mediave vendore, takim ky i zhvilluar në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë:

HOVENIER: Desha të mblidhemi, faleminderit që mu bashkuat.

E di që ka shumë interes rreth asaj se si SHBA-ja po e sheh situatën aktuale në veri dhe dua të flas për këtë. Pra, jemi thellësisht të shqetësuar me situatën momentale në veri. Ne besojmë se ka qenë një krizë e panevojshme. Veprimi i ndërmarrë të premten për të…operacioni i ndërmarrë të premten për të hyrë në objektet komunale përmes forcës nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në. Kur e morëm vesh, këshilluam fuqishëm kundër atij veprimi sepse ne i kemi parashikuar pasojat që tash po i shohim. Ne besojmë se ka pasur ndikim negativ për reputacionin e Kosovës, ka kthyer prapa përpjekjet tona për t’i avancuar marrëdhëniet për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij dhe siç kemi thënë edhe ne, kjo ndikon në marrëdhëniet tona bilaterale. Shenja e parë e kësaj ka qenë vendimi i marrë mbrëmë nga Komandanti i Komandës SHBA-Evropë, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe ‘23”, që ka ndodhur gjatë natës dhe siç e dini, nuk ka pasur aktivitete të ndërlidhura me “Defender Euorpe 23” sot dhe nuk do të ketë më për Kosovën, ky ushtrim ka marrë fund.

Po mendojmë edhe implikime tjera, më duhet të them se në këtë moment kemi kërkuar shumë direkt nga kryeministri Kurti që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të depërshkallëzuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Jemi duke i shqyrtuar veprimet tjera. Më duhet të them se në këtë moment, nuk do të gjeni shumë entuziazëm nga ana e SHBA-së për t’ju përgjigjur interesave tjera të Kosovës, siç është angazhimi me shtetet mosnjohëse apo puna aktive për të avancuar trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Na vjen keq shumë që ka ardhur deri këtu puna, por më duhet të jem i sinqertë se kjo është situata. Shpresojmë që kryeministri Kurti të marrë këshillën tonë dhe të ndërmarrë disa veprime për të arritur depërshkallëzimin në veri, dhe të vazhdojë me çështjet prioritare që janë implementimi i plotë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit e jo shpërqendrimit dhe konfliktit të panevojshëm në veri.

Me këtë, do të pranoj pyetjet:

ADRIATIK KELMENDI: Faleminderit zotëri Ambasador. Pra, ju përmendet ndikimin negativ, anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në “Defender Europe 2023”. Filluat pas deklaratave të forta për ndërmarrjen e veprimeve. Sa do të ketë kohë për të pritur përgjigjen e kryeministrit Kurti ndaj kërkesave tuaja?

HOVENIER: Ne mendojmë se kjo është një situatë shumë urgjente. Krahasimet që i kam bërë është sikur ta kesh shtëpinë në zjarr. Duhet ta fikni zjarrin. Pra, nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri. Më lejoni të jem i qartë, janë dy gjëra që po i kërkojmë qeverisë t’i bëjë për të deshpërshkllëzuar, jam i lumtur të jem specifik: ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë se kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjejë lokacione tjera për betimin e tyre. Nuk mund të kuptojmë se përse nuk mund të përdorin ato lokacione të njëjta publike apo alternative për t’i kryer funksionet e tyre, që janë funksione administrative. Jemi “on the record”, këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm të luajnë për sa i përket administratës, por ky nuk është një aranzhim normal dhe nuk kanë mandate të forta nga elektorati i tyre për të ndërmarrë iniciativa të fuqishme, prandaj nuk e kuptojmë se përse ka insistim për të punuar nga ndërtesat komunale dhe ne besojmë që prezenca e Policisë së Kosovës, e cila u bë me forcë, është jashtëzakonisht sfiduese, dhe kemi kërkuar nga Qeveria që t’i tërheqë forcat policore nga tri ndërtesat. Mendojmë se kjo do të depërshkallëzonte (situatën, shën.red.).

GAZETARI: Nëse KFOR-i merr përsipër, nëse trupat e KFOR-it dhe mjetet e blinduara vendosen, a ka ndonjë skenar nëse ndonjë Ligj Marshal, apo ndonjë skenar i para vitit 2008 të hyjë në fuqi për të marrë situatën nën kontroll në terren?

HOVENIER:  Nuk pëlqej që të jap përgjigje hipotetike. Ajo që po e përshkruani nuk po ndodh tani. KFOR-i ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, dhe misioni i tij është liria e lëvizjes dhe ambient i sigurt, dhe në këtë Gjenerali Ristuccio dhe ekipi i tij janë të përqendruar. Më lejoni të shpreh para jush siç e kam thënë në Twitter dje, që shpreh keqardhjen time të thellë për personelin e lënduar të KFOR-it, por edhe frustrimin e thellë për atë që ka ndodhur atje, ky sulm ndaj paqeruajtësve që janë atje për të ruajtur paqen. Presim nga KFOR-i ta kryejë misionin e tij për të siguruar ambient të sigurt dhe të lehtësojë lirinë e lëvizjes, këtë presim nga ata që ta bëjnë. Nga qeveria e Kosovës presim të ndërmarr veprime të menjëhershme për të depërshkallëzuar situatën në veri.

GAZETARJA: A paraqet rrezik ndaj Kosovës vendimi i Serbisë për t’i vënë trupat në kufi dhe në gatishmëri të plotë luftarake?

HOVENIER: Kurrë nuk është shenjë e mirë që shtetet fqinje që kanë raporte të tensionuara mobilizojnë forcat e tyre! Por dua të them se në këtë moment, ajo për çka jemi të shqetësuar janë veprimet që i ka ndërmarrë qeveria e Kosovës që kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri dhe kjo duhet adresuar.

GAZETARI: Kryeministri Kurti tha dje se ka bashkëpunim të mirë me ju në lidhje me veriun.

HOVENIER: Dua të lejoj që deklaratat e mia të para të flasin vetë. Ajo që thash mendoj se e adresova shumë qartë këtë.

GAZETARI PËRSËRI: A mund të ndryshoj pak, sepse ju përmendet edhe presidenten Osmani. A është ajo pjesë e politikës së qeverisë, a po punojnë si ekip? Ju e takuat atë?

HOVENIER: Nuk e di nëse është e përshtatshme për mua që të flas për dinamikat përbrenda institucioneve të qeverisë së Kosovës. Ajo që do të vija re, është se presidentja Osmani ka theksuar vazhdimisht rëndësinë për koordinim dhe bashkëpunim të plotë dhe të afërt me bashkësinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë me SHBA-në. Besoj se ajo këtë e merr shumë seriozisht.

GAZETARI: Ju keni kërkuar nga qeveria të tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat…

HOVENIER: A mund të ju korrigjoj? Nuk e thash këtë, thash tërheqjen e Policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale. Këtë e thash.

GAZETARI PËRSËRI: Në rregull, më fal. Meqë ka pjesëtarë amerikanë të KFOR-it që po negociojnë me policinë atje në komuna, a ka ndonjë shenjë që Policia do të tërhiqet? A ka indikacione?

HOVENIER: Nuk jam në dijeni aktualisht për vendimin e marrë në nivel politik për tërheqjen e policisë nga ndërtesat komunale.

GAZETARJA: 25 ushtarë u lënduan dje, kemi pasur ushtarë të KFOR-it që kanë vdekur në të kaluarën, për asnjë nga këto vdekje, ose lëndime nuk ka pasur llogaridhënie, askush nuk është gjetur, askush nuk ka shkuar në burg. A do të lejoni që lëndimi i ushtarëve mbrëmë, përfshirë ushtarë amerikanë, të vazhdojë pa pasoja? A jeni duke i hetuar lëndimet e ushtarëve amerikanë?

HOVENIER: A jeni duke bërë pyetje, apo deklaratë?

GAZETARJA: A do ta hetoni lëndimin e ushtarëve amerikanë?

HOVENIER: Fillimisht faktet tuaja janë të pasakta, nuk ka pasur ushtarë amerikanë të lënduar dje me aq sa dimë. Ne e marrim shumë seriozisht kur paqeruajtësit… dhe vërtetë nuk duhet të bëhen dallime mes ushtarëve amerikanë dhe çfarëdo ushtari tjetër, ushtarët e NATO-s janë ushtarë të NATO-s dhe ne si Aleancë e vlerësojmë secilin prej tyre pavarësisht nacionalitetit, jemi thellësisht të shqetësuar për veprimet që ndodhën të cilat rezultuan në lëndimet, e në disa raste edhe lëndimet serioze të disa ushtarëve. Unë e kam dënuar dje ashtu siç kanë bërë të gjithë kolegët e mi besoj, por kjo nuk e ndryshon faktin se arsyeja pse ushtarët ishin atje për të ruajtur paqen, në atë skenar, ishte për shkak të vendimit të kryeministrit Kurti për të arritur qasje në ndërtesat e këtyre tri komunave me forcë  dhe kjo është gjëja që duhet të adresohet lidhur me depërshkallëzimin që ne po e kërkojmë.

GAZETARI: Ambasador, a kemi ndonjë udhërrëfyes konkret se si mund të normalizohet situata në veri, duke pasur në konsideratë jo vetëm ngjarjet e fundit, por edhe njerëzit që i kanë lënë punët e tyre në vjeshtë në polici, drejtësi, dhe pse po shohim që po fajësohet vetëm Kosova?

HOVENIER: Përsëri, siç thash duke e përdorur analogjinë se nëse shtëpia është duke u djegur, duhet ta ndalësh zjarrin përpara se të punosh në renovimin e kuzhinës, apo çfarëdo gjëje tjetër që duhet të bësh. Aktualisht çështja urgjente është depërshkallëzimi i situatës në veri, në periudhë afatgjatë kemi udhërrëfyes që quhet “marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka bërë të qarta pritshmëritë që të dyja palët t’i implementojnë plotësisht të gjitha përgjegjësitë që i kanë marrë me atë marrëveshje. Kjo e zgjidhë edhe situatën në veri dhe kjo është arsyeja përse ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të lëvizë urgjentisht përpara me procesin e negociatave për Asociacionin, që do të ishte mjeti për adresimin e shumë çështjeve në veri.

GAZETARI: E keni përmendur “Defender Europe” dhe mungesën e entuziazmit për të punuar me shtetet që nuk na njohin, por dua të ju pyes nëse mund të jeni më specifik për aspektet tjera lidhur me atë që mund të jetë një pasojë potenciale për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Çfarë pasojash tjera mund të ketë në periudhë afatshkurtër, nëse situata nuk ndryshon?

HOVENIER: Nuk e di nëse ka shumë kuptim që të flas më specifikisht tash, ne jemi duke reflektuar dhe shpresa jonë është që Qeveria e Kosovës do t’u përgjigjet kërkesave tona dhe të ndërmarrë hapa për depërshkallëzimin e situatës. Ajo që ndodhi ishte jo e zakonshme, e keni parë twitin e Sekretarit Blinken, kjo është e rrallë që ta ketë atë nivel të gjuhës, gjeneral Cavoli, komandanti i të gjitha forcave amerikane në Evropë në emër të SHBA-së e ka marrë vendimin për anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës për “Defender Europe 23”, ky është një veprim i rëndësishëm po ashtu që lë të kuptohet se sa seriozisht jemi duke e marrë këtë situatë, dhe shpresojmë që edhe Qeveria e Kosovës do ta marrë seriozisht.

GAZETARJA: A po e kuptojnë se sa serioze është situata pas twittit të sekretarit Blinken, pas thirrjeve që kishim nga shtetet e Quint-it dhe prapë dje e pamë situatën.

HOVENIER: Kjo është pyetje e shkëlqyeshme të cilës nuk mund t’i përgjigjem por ju inkurajoj t’i pyesni zyrtarët e Kosovës, a e kuptojnë se sa serioze është kjo? Këtu jemi ulur që unë të tregoj se sa serioze kjo është dhe i kam thënë edhe kryeministrit se sa serioze është.

GAZETARI: Në vjeshtën e kaluar më kujtohet që ambasada e SHBA-së u tha disa ministrave të Kosovës të mos udhëtojnë për në SHBA për shkak të barrikadave. A lejohen tani që të shkojnë, a mundet që Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë me Qeverinë e SHBA-së nëse situata vazhdon kështu?

HOVENIER: Do të befasohesha nëse në këto rrethana aktuale, në rrethanat në të cilat jemi tani, të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë, qoftë nga SHBA-ja këtu, apo nga Kosova në SHBA.

GAZETARI: Edhe për kryeministrin Kurti?

HOVENIER: Siç thash, do të befasohesha nëse në situatën në të cilën jemi aktualisht do të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë.

GAZETARI: A konsiderohen zgjedhjet e reja lokale si opsion për zgjidhjen e krizës në veri?

HOVENIER: Nuk mund të flas për opsionet të cilat është duke i marrë parasysh Qeveria  e Kosovës. Ajo që po them është që na duhet depërshkallëzim, dhe i kemi paraqitur dy gjërat që ne mendojmë se duhet të ndodhin për depërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës.

GAZETARI: Dhe çfarë mendon se do të ishte një zgjidhje e mundshme?

HOVENIER: Nuk mund të flasë se çfarë mund të funksionojë dhe çfarë jo. A mendon se kjo do të ndihmonte? A mendon se komuniteti serb do të merrte pjesë në zgjedhje kësaj here? Nuk mund t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, mund të them se në rrethanat në të cilat gjendemi ka persona që zgjidhen bazuar në ligjet e Kosovës, por askush nuk mund të jetë i lumtur kur më pak se 4 për qind e votuesve të regjistruar votojnë. Është e nevojshme që këta zyrtarë të veprojnë me shumë kujdes, ta pranojnë se nuk kanë mandat të madh politik për të bërë ndryshime dhe atë që e kemi thënë disa herë publikisht, në punën teknike apo administrative për administrim, derisa punojmë në krijimin e kushteve për një ambient tjetër politik, i cili do të rezultonte në një përfaqësim tjetër politik. Pjesë e asaj për të cilën kemi folur me qeverinë është se si ta fillojnë punën ata, prandaj kemi pasur në një bisedë të kujdesshme për mënyrën se si do ta bëjnë betimin, dhe të bëhet në një mënyrë që do t’i siguronte komunitetet që ata u shërbejnë… dhe kjo është pjesë e arsyes përse reagimi ynë ishte aq i fortë për atë që ka ndodhur të premten, sepse kjo nuk është mënyra se si këta kryetarë duhet ta merrnin mandatin duke hyrë në ndërtesat e komunave me polici me forcë. Kjo nuk është ajo që e kishim menduar, apo rekomanduar.

GAZETARJA: Pyetja ime nuk lidhet me këtë krizë në veçanti, por po e bëjmë një hulumtim për dezinformimin në Ballkanin Perëndimor ku kemi gjetur se kampanjat e dezinformimit të Kremlinit dhe narrativat janë duke arritur në mediat shqiptare në Kosovë dhe mediat serbe në Kosovë, rrjetet sociale, këtu janë duke e influencuar opinionin publik në Kosovë. A keni ndonjë informatë të tillë, a e tregojnë gjetjet tuaja këtë në muajt e fundit?

HOVENIER: Nuk jam i sigurt se a jam në pozitë që t’i përgjigjem kësaj pyetje me shumë specifika. Ajo që mund të them është se mendoj se në rajon jemi të shqetësuar për fenomenin e dezinformimit. Këto shqetësime nuk janë vetëm për Ballkanin Perëndimor. Ndodh edhe në vende të tjera gjithashtu por nuk është sekret se Rusia nën udhëheqjen e Putinit përfshihet në operacione për dezniformim dhe ato janë të sofistikuara dhe nuk është befasuese që disa nga këto narrativa false që i publikon  Rusia janë për të avancuar interesat e saj strategjike që lidhen me Ballkanin Perëndimor. Por, nuk kam më shumë informata përtej kësaj. Në Departamentin e Shtetit kemi një Qendër për Përfshirjen Globale që udhëhiqet nga James Rubin, të cilin sipas gjasave e njihni. Ai e merr shumë seriozisht këtë çështje dhe e dini, unë e di se ai dhe Qendra për Përfshirje Globale janë duke e shikuar nga afër këtë çështje edhe për këtë rajon edhe për rajonet tjera.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...