Më 20 tetor 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit, ka caktuar seancën e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj, për 1 dhe 2 dhjetor 2022.
Pas kërkesës nga mbrojtja e Haradinajt, e shprehur në versionin e korrigjuar të ankesës, Paneli i Apelit ka lëshuar një urdhër me të cilin ka caktuar seancën në datat e mësipërme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) thuhet se nuk ka pasur kundërshtime dhe janë shprehur të gatshëm për një seancë të tillë.
Tutje, në urdhër theksohet që sipas rregullës 72 (3) të Rregullave, një apelim ndaj një vendimi gjyqësor mund të vendoset edhe vetëm në formë të shkruar, ndërsa thuhet se rregulla 180 përcakton që pas kalimit të afatit për depozitimin e ankesave që përcaktohet me rregullën 179, Gjykata e Apelit mund të caktojë datën e një seance të Apelit nëse është e nevojshme.
Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi/