Live

Serbët me plan për sulm ndaj KFOR-it dhe EULEX-it në veri

18:55 / 05 Nëntor 2022

Nga admin

Serbia përmes strukturave të saj ka planifikuar eskalimin e situatës së sigurisë në veri të vendit tonë. Në kuadër të atij plani, për të cilin ka kuptuar KosovaPress, është provokimi me sulme nga eksponentë të krimit të organizuar të lidhur me strukturat e sigurisë dhe politike në Serbi ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Sipas planit, pjesë e targetit për sulm mund të bëhen edhe pjesëtarët e EULEX-it.

Mësohet se qëllimi i planit është përshkallëzimi i situatës përmes incidenteve të inskenuara të cilat do të çonin në një konflikt të hapur mes Policisë dhe KFOR-it në njërën anë dhe eksponentëve serbo-rusë në anën tjetër, ku këta të fundit shpresojnë në mbështetjen e elementëve ushtarakë nga Serbia përmes rrugëve ilegale në veri.

Për këtë qëllim, thuhet se Serbia ka rekrutuar grupe të rinjsh në veri, për përfshirjen në skenarët e saj.

Ata janë pjesë e grupit kriminal të ashtuquajtur “Severna Brigada”, e cila dyshohet për përfshirje në shumë aktivitete kriminale atje, përfshirë edhe djegien e veturave të serbëve të veriut.

Disa prej drejtuesve të saj kanë njohje personale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, sikurse Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami” nga Zveçani.

Se KFOR-i dhe pjesëtarët e saj janë cak i këtyre grupeve tregon edhe veprimi i datës 26.08.2022, kur ata kishin monitoruar dhe fotografuar pikat statike të KFOR-it në veri, dhe i kishin publikuar të shoqëruara edhe me koordinata dhe sipas shtetit që i përkasin.

KosovaPress mëson se personat e përgatitur për t’i sulmuar institucionet e sigurisë së lartcekura janë:

Vladimir Radivojeviq i njohur me nofkën “Mami”.

“Mami’ ka njohje të drejtpërdrejta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në takimin e Rashkës të mbajtur me datë 13.10.2021, pas fjalës së Vladimir Radivojeviq, presidenti serb iu kërkon diskutuesve të prezantohen, duke thënë se “atë e njoh” duke iu referuar “Mamit”.

Vladimir Radivojeviq “Mami” ka lidhje të shumta politike dhe me grupe të ndryshme kriminale në veri të vendit. Është pjesë e tifozëve “Delije” nga Zveçani.

Aleksandar Jevremoviq nga Leposaviqi, i cili është nipi i ish ministrit serb Goran Bogdanoviq, së bashku me pjesëtarin e VBA Marko Vukasinoviq drejton një grup personash në Leposaviq të cilët prezantohen edhe si “Mbrojtje Civile”, derisa veprojnë nga lokali “Mistik” në Leposaviq.

Uglesa Jarediq, ish komandant i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës për veri, i integruar nga strukturat e MUP-it, që muaj me parë ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës është i përfshirë në këto plane.

Ai më parë ka qenë edhe pjesë e Xhandarmerisë Serbe.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...