Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së do të vizitojë Beogradin javën e ardhshme mes tensioneve të vazhdueshme mbi Kosovën dhe presionit ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Vuçiq tha dje se Derek Chollet, këshilltar special i Departamentit të Shtetit, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar.
Chollet muajin e kaluar iu desh të anulonte një vizitë në Ballkanin Perëndimor dhe Bruksel pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.
Pas Chollet në Beograd do të jenë edhe ndërmjetësit e BE-së.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë janë përpjekur të përshpejtojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Palëve u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të BE-së.
Në ditët e fundit të vitit 2022 është paralajmëruar një valë e re e dialogut në javët e para të janarit 203.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel
Kurti, thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.
Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se ende nuk ka datë për një takim të mundshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel.