Njohësi i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për Kosovalive, ka paraqitur vështrimin e tij mbi planin franko-gjerman. Ai ka vlerësuar se konfidencialiteti nga kryeministri Kurti ndaj kësaj çështjeje po e dëmton demokracinë e vendit.
“Sa i përket çështjes se, institucionet e Kosovës nuk janë transparente sa i përket këtij plani mund të themi se kryesisht kjo çështje lidhet me aspektin e asociacionit të komunave serbe. Kjo sepse kryeministri Kurti po tenton që çështjen e asociacionit t’a inkorporojë në kuadër të këtij plani franko-gjerman. Në këtë aspekt ajo po tenton që të krijoj një alibi politike se është bashkësia ndërkombëtare ajo po dëshiron t’a shkëpusë asociacionin nga plani franko-gjerman. Kryeministri duke tentuar ta mbaj në aspektin e konspiracionit planin në aspektin e fshehtë nga opinion i gjerë publik, po tenton që me çdo kusht të krijoj alibi eventuale në të ardhmen dhe kjo është e dëmshme për demokracinë e Kosovës, ka deklaruar Shala.
Tutje, ai tregoi se pse Kosova nuk duhet të ketë frikë nga ky draft.
“Nuk duhet të kemi frikë nga drafti franko-gjerman sepse me të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës, ruhet kushtetutshmëria në njërën anë, pra nuk duhet të krijojmë histeri ndaj planit franko gjerman”, tha ai./Kosovalive.net/