Live

Shala thotë se kërcënimi me atentat ndaj Abdixhikut dhe disa deputetëve të LDK-së ka motivacion politik

21:06 / 18 Janar 2023

Nga Kosova Live


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Po, ne sot kemi marrë një informacion të kësaj natyre, pra mund të konfirmoj që jam i informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me të dhe organizatash në Kosovë dhe në disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të BE-së, të vendeve të BE-së dhe nga ajo çka na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë” – ka deklaruar Shala në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.

Shala po ashtu u shpreh se atentatit ka motivacion politik.

Policia e Kosovës po ashtu është deklaruar në lidhje me këtë rast.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – ka thënë Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës për ‘kallxo’.

Zyrtarë të lartë të LDK-së për kosovalive.net e kanë konfirmuar se po përgatitej atentati ndaj kryetarit, Lumir Abdixhikut dhe disa deputetëve.

Mediumi “Nacionale” raportoi se deputetët e kërcënuar me atentat janë Arben Gashi, Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj.

Shpërndaje në

U Kopjua