Live

Shantazhet kundër Fahri Xharrës nuk kalojnë

19:54 / 03 Shkurt 2024

Nga Kosova Live

Shkruan: Qëndrim Kryeziu- Asnjë popull nuk mund të mbijetojë pa mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare, historisë dhe identitetit të tij. Ato janë themeli dhe trashëgimia mbi të cilën është skalitur e kaluara dhe projektohet e ardhmja e përbashkët.

Në panteonin e vetëdijes sonë kombëtare një vend të tillë sipëran e zënë figura sikurse ajo e Skënderbeut, Rilindëseve e deri te Nënë Tereza. Mohimi i tyre, për çfarëdo arsye dhe motive është mohim i qenies shqiptare. Kauza të tilla, vetëm interesit kombëtar nuk i shërbejnë. Ato mund të jenë në funksion të projeksioneve neo-tomane dhe erdoganiste etj.

Bie fjala, Ismail Kadare, thotë se sulme të tilla kanë një parahistori të gjatë. Në veprën “Lamtumira e së keqes” në mënyrë metaforike, Kadare tregon për origjinën e kësaj fushate.

Shkrimtari ynë i madh pohon se si kur Perandoria Osmane, pasi kishte hyrë në procesin e dekompozimit të pashmangshëm, kur ishte kuptuar se ai shtet nuk do të mund t’i mbante më garnizonet e tij ushtarake në territorin shqiptar, atëherë Sulltani e angazhoi shpurën e tij që të gjenin formula më të sofistikuara të sundimit, për t’i mbajtur shqiptarët përjetësisht nën hegjemoninë perandorake.

Kështu, Sulltani e ngarkoi një mision sekret që do të angazhohej për fabrikimin e këtij subordinimi. Qëllimi i këtij misioni ishte që “kur ushtria dhe administrata turke do të detyroheshin të linin Shqipërinë ashtu siç e kishin braktisur gjithë Gadishullin,,,, si të mbahej pranë Shqipëria, duke qenë e shkëputur,,,,, si të bëhej aziatizimi i Shqipërisë, veç me një kusht; që ai të bëhet prej vetë shqiptarëve, pa u shtyrë drejtpërdrejt nga ne, nga askush, e aq më pak nga ne”…

Me këtë rast, konstaton Kadare, sulmet ndaj Gjergj Kastriotit duhet ta formonin boshtin e kësaj strategjie të re të nënshtrimit. Sepse për aq kohë sa shqiptarët do ta ruanin në panteonin kujtesës së tyre kolektive luftën e lavdishme të Skënderbeut, një mision i tillë do të ishte i pamundur.

Pra “Kodi kastriotian është nyja që na lidh me të kaluarën duke i dhënë kuptim traditës sonë, por njëherësh është harta jonë orientuese për të ardhmen ku na presin sfida të reja më të fuqishme dhe me kanosëse. Në kodin kastriotian, te përkatësia evropiane, shqiptarët do të gjejnë prehje, strehim nga përplasjet planetare të qytetërimeve dhe shërim në dimensionin identitar qytetërues të tyre”.

Në këtë rast, nëse ka diçka që e ka dalluar veprimtarinë publike dhe atdhetare të intelektualit të njohur Fahri Xharra, ka mbetur përkushtimi i vazhdueshëm dhe gati “fanatik” i afirmimit të këtij thesari kombëtar. Ai ka reaguar dhe është angazhuar ndaj çdo kujt që ka tentuar ta njollosë dhe përdhosë këtë trashëgimi.

Në këtë kontekst, nuk mund të kalojnë shantazhet ndaj tij, që paska bërë Milazim Krasniqi, se do ta padis në Gjykatë për shpifje intelektualin Fahri Xharra, që u botua në Gazetën Nacionale, sepse gjoja ky i fundit paska shpifur kundër të parit, kur ka shkruar se “Nuk kanë të ndalur fyerjet e Milazim Krasniqit ndaj vlerave tona të kombit. Pos aferës dhe rrëmujës që ka krijuar në Universitetin e Prishtinës, tani është përqendruar me të gjitha forcat t’i përdhunos dhe t’i përbaltë figurat më madhështore të kombit që përmes tyre sendërtoj trupin e vet si popull. Milazim Krasniqi përmes kësaj videoje që po ju prezantojmë pozicionohet hapur në anën e ish pushtuesve osman nga e cila poezitë e Çajupit të madh i quan idiotiste dhe e përsërit disa herë se Anton Zako Çajupi është “idiot” që përmes poezisë së tij e luftoi pushtuesin pesë shekullor. Ky njeri me deklaratat e veta po shihet se është i shtyrë nga pikëpamja ideologjike e tij të hap plagë të reja mbi vlerat tona duke i minimizuar dhe duke e çmuar atë të pushtuesve, nga e cila vetvetiu rrjedh pyetja se ku janë ata studentë? . Ku janë ata profesorë ?. Ku janë ata intelektualë dhe ky brez që lejon një bir otomani , një vehabist, një ekstremist fetar me apetite islamike ta terrorizojë epokën e Rilindjes sonë kombëtare të letërsisë, që pjesë e saj është edhe i madhi Anton Zako Çajupi. “Heshtje qeveritare, heshtje e akademikëve.

Kërcënimet me gjyqe ndaj intelektualëve kombëtarë janë një taktikë dhe strategji e njohur për t’i detyruar ata të heshtin ndaj deformimeve të tilla. Ashtu siç ishte deformim edhe kur i biri i tij, Memli Krasniqi, kryetari aktual i PDK-së, me t’u bërë ministër i Kulturës thuhet se e kishte larguar ikonën e Nën Terezës, nga zyrat e kësaj ministrie.

Akte të tilla vetëm të rastësishme nuk janë. Ato janë pjesë e një mendësie politike që vetëm në shërbim të kulturës dhe indentitetit kombëtar nuk mund të jenë. Dhe deshëm apo nuk deshëm, kur shfaqet një vakum i tillë, pashmangshëm përfitojnë ata që kanë për qëllim, motiv dhe interes që shqiptarët të mos identifikohen kombëtarisht dhe kulturalisht me Nënën Terezë dhe Skënderbeun.

E këtë motiv e ka pasqyruar në mënyrë briliante në veprën e sipërcituar “Lamtumira e së keqes” Ismail Kadare, që Fahri Xharra, po i qëndron në mënyrë besnike kësaj trashëgimie.

Intelektual ky, që madje lirisht mund të themi se me punimet e tij e ka zgjuar edhe ndërgjegjen historike evropiane dhe ndërkombëtare nga lajthitja që e kishte vënë propaganda sllave lidhur me autoktoninë e shqiptarëve.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...