Live

SHBA kërcënon pronarët e TikTok-ut, ose të shesin aksionet ose të përballen me bllokim

22:51 / 16 Mars 2023

Nga Kosova Live

Qeveria amerikane thotë se TikTok duhet të shitet ose përndryshe do të përballet me një ndalim të mundshëm në vend.

Aplikacioni për ndarjen e videove, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, akuzohet se paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare përmes të dhënave të mbledhura nga miliona përdorues.

Një kërkesë për një ndryshim në pronësi, u raportua fillimisht në Wall Street Journal (WSJ) , dhe më pas u konfirmua për BBC News nga TikTok.

Sipas raportimit, kjo paraqet një “ndryshim të madh” në politikën e administratës amerikane kundër TikTok-ut.

Në raportim thuhet se 60 për qind e aksioneve të kompanisë pronare të TikTok-ut, ByteDance, janë në pronësi të investitorëve globalë, 20 për qind janë në pronësi të punonjësve dhe 20 për qind në pronësi të themeluesve.

TikTok u përgjigj duke thënë se kërkesa për shitje nuk do të trajtojë rrezikun e perceptuar të sigurisë.

“Nëse synimi është mbrojtja e sigurisë kombëtare, shitja e aksioneve nuk e zgjidh problemin: Ndryshim në pronësi nuk do të impononte ndonjë kufizim të ri në rrjedhën e të dhënave ose qasjen”, tha në një deklaratë zëdhënësja e TikTok-ut, Brooke Oberwetter.

“Mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet në lidhje me sigurinë kombëtare është me mbrojtjen transparente në SHBA të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve amerikanë, me monitorim, verifikim dhe verifikim të fuqishëm nga palët e treta, të cilat ne tashmë po i zbatojmë”, shtoi ajo.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar mbi raportimin.

Pasi u lançua në vitin 2016, aplikacioni për shpërndarjen e videove i cili është në pronësi kineze u bë shumë i popullarizuar në të gjithë botën, duke arritur në 755 milionë përdorues globalë në vitin 2022.

Dy të tretat e adoleshentëve amerikanë janë tani përdorues të TikTok-ut.

TikTok grumbullon sasi të mëdha të dhënash tek përdoruesit e tij, ngjashëm me Instagram dhe Twitter.

Aplikacioni tashmë është i ndaluar në telefonat qeveritarë në SHBA, Kanada dhe BE.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...