Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka nisur vitin e ri, me shpalljen e tre tenderëve për ndërtimin e dy qendrave korrektuese dhe zgjerimin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Për këto tre kontrata, SHKK planifikon të shpenzojë mbi 10 milionë euro, shkruan Reporteri.net.
Bazuar në njoftimet që janë publikuar sot në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, vlerën më të lartë e ka tenderi për ndërtimin e Institucionit Korrektues dhe Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Për këtë projekt, janë parashikuar të shpenzohen 5 milionë e 505 mijë euro.
Ndërtimi i këtyre qendrave do të marrë kogja kohë. Në dosje theksohet se kohëzgjatja e kontratës është për 48 muaj, apo përkthyer në vite, për katër vjet. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 27 janari.
Në fund të njoftimit për kontratë theksohet se kompania që fiton këtë tender, obligohet që ta dërgojë listën e punëtorëve për verifikim për të kaluarën e tyre.
“Lista dërgohet te menaxheri i kontratës kurse menaxheri do ta dërgon për verifikim te organet kompetente. Ata punetorë që kanë të kaluar jo të mire ose kanë qenë të dënuar ndonjeherë nuk kanë të drejt të hynë në hapësirat e burgjeve”, theksohet në njoftim, shkruan Reporteri.net.
Tenderi tjetër i shpallur është për Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan. Për këtë projekt, Shërbimi Korrektues ka paraparë të shpenzojë 4 milionë e 115 mijë euro.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është më e shkurtë se ajo për qendrën në Prizren, saktësisht 36 muaj.
Afati për oferta për këtë tender përfundon më 28 janar. Edhe këtu vlen kriteri për verifikimin e të kaluarës së punëtorëve të kompanisë që do të shpallet fituese.
Tenderi tjetër i shpallur nga SHKK është për zgjerimin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike dhe krijimin e hapësirave të reja për trajtimin mjekësor të të burgosurve.
Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 1.1 milionë euro.
Zgjerimi i këtij institute dhe krijimit të hapësirave të reja pritet të përfundojë për një vit. Së paku kap është kohëzgjatja e kontratës.
Kompanitë e interesuara për t’i kryer punimet kanë afat të dorëzojnë ofertat deri më 27 janar, kur edhe do të bëhet hapja e ofertave./Reporteri.net