Në kohën kur ministra, kryetarë komunash nga VV e zyrtarë të qeverisë së Albin Kurtit nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt SHBA-së, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tashmë gjendet në Iowa.
Ramosaj ka njoftuar se në shtetin amerikan e ka takuar zv. Sekretarin e Iowa-s, Michael Ross.
Ai ka thënë se me të ka diskutuar lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë.
“Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të takohem me zv. Sekretarin e Shtetit të IOWA-së, z. Michael Ross. Ku diskutuam shumë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ndërsjellë mes nesh. Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë!”, ka shkruar ai.
Një vizitë në Iowa ishte paraparë të zhvillohej edhe nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mirëpo siç kishin thënë nga kabineti i tij është shtyrë për në fillim vit.
Në reagimin e zëdhënësit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia thuhej se pjesë e dakordimit për shtyrjen e këtij vendimi ishin edhe kryetarë të komunave të tjera.
“Vizita e cila ka qenë e planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme në IOËA të ShBA-së është shtyrë për në fillim vit në dakordim edhe me kryetarët e tjerë të komunave për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit”, kishte shkruar Zhitia.
Ai kishte shkruar, e madje e kishte publikuar edhe dokumentin e Bulliqit, duke thënë se ai kishte vizë valide për 5 vjet.
“Lajmi se kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi i është refuzuar viza për në ShBA është i PAVËRTETË. Kryetarit Bulliqi i është lëshuar viza amerikane për 5 vjet”, kishte shkruar Zhitia.
Disa vizita të zyrtarëve institucionalë që vijnë nga Vetëvendosje, janë anuluar në këtë kohë. Ndonëse e pakonfirmuar, kjo gjë besohet të jetë bërë si formë ndëshkimi ndaj qeverisë që ka injoruar kërkesat zyrtare të SHBA-së për shtyrje të zbatimit të vendimit për targat.
Edhe shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri në emisionin DPT te Fidani, ka thënë se kjo ndarje e zyrtarëve të VV-së nga mundësia për vizita në SHBA, paraqet sanksionim.
Për ta mbështetur argumentin e tij, ai ka përmendur edhe fluturimin e Ramosajt drejt Iowas, i cili vjen nga AAK.