Live

​“Shqipërinë e kishim ideal”, ekspozitë për kontributin e shtetit amë në çlirimin e Kosovës

15:13 / 11 Mars 2023

Nga Kosova Live

Me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sektori i historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës hapi ekspozitën “Kontributi i shtetit amë Shqipërisë për çlirimin e Kosovës 1998-1999” të bashkautorëve Sadik Krasniqi e Besnik Rraci. Në këtë ekspozitë u prezantuan dëshmi, fotografi, relikte dhe veshje që dëshmojnë për kontributin e shtetit shqiptar në çlirimin e Kosovës.

Autori i kësaj ekspozite, Sadik Krasniqi tha se kontributi i shtetit shqiptar është shumëdimensional, përfshirë kontributin politik dhe diplomatik të Shqipërisë për ta ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pastaj kontributin ushtarak ne përgatitjen e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare si dhe në mirëpritjen e shqiptarëve të Kosovës që u dëbuan gjatë viteve ’98-’99.

“Në shtyllën e parë, e kemi vendosur kontributin i cili është bërë nga politika dhe diplomacia e Shqipërisë, duke filluar që nga protestat nga populli e pastaj institucionet qendrore, zëri i tyre, promovimi, përkatësisht sensibilizimi, informimi para arenës ndërkombëtare ku kishte përfaqësues, ambasadorë, që nga Kombet e Bashkuara, Uashingtoni, Londra, Parisi e deri te lufta e fundit ishte një gamë e gjerë kontributesh që dha shteti amë Shqipëri në këtë dimension, për të vazhduar më pas edhe me dimensionin tjetër, shumë të rëndësishëm, aspekti i Ushtrisë së shtetit shqiptar… Ishin edhe dëbimet, barbaritë serbe që ndodhën, ai terror shtetëror serb, bëri që diku 1 milion shqiptarë të shpërngulen në vende te tjera, edhe më këtë rast edhe në Shqipëri ishin me qindra mijëra që kaluan për strehim. Gjithmonë duke falënderuar shtetin amë, popullin e Shqipërisë, i trajtoi mirë, bëri të pamundurën që të mos iu mungojë asgjë”, deklaroi Sadiku.

Një kujtim i veçantë në këtë ekspozitë iu kushtua 50 djemve dhe vajzave nga Shqipëria që ranë dëshmorë në luftën e fundit të Kosovës, të cilët humbën jetën në vijën e parë të frontit ose duke transportuar armë.

“Paralel me vajzat e popullit shqiptar të Kosovës udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare të cilët dhanë kontribut të madh, këtij kontributi iu bashkëngjit edhe djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare nga Shqipëria dhe janë diku 50 dëshmorë të kombit nga Shqipëria të rënë në luftën e Kosovës për çlirimin e Kosovës. Janë të vrarë drejtpërdrejtë në vija zjarri dhe duke bartur armatim në vija kufitare”, tha Sadiku.

Një prej këtyre dëshmorëve ishte edhe Dinë Koleci i rënë në pritë nga forca serbe në qershor të vitit 1998. I lindur e rritur në Kishaj të Hasit, Koleci e njihte mirë terrenin për kalim të sigurt të kufirit që e ndante Kosovën nga Shqipëria. Prandaj ai përcolli dhe shoqëroi disa herë togjet e luftëtarëve të lirisë për në Kosovë deri në rënien e tij.

Vëllai i Dinit, Avni Koleci tha se Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin e Kosovës. Ai apeloi që materialet, si kujtim i vetëm nga dëshmorët e luftës, të ruhen dhe të shtohen.

“Shqipëria ka dhënë një kontribut të çmuar në luftën për çlirimin e Kosovës, në mbajtjen e armatimit, në shoqërimin e ushtarëve të UÇK-së, luftë të drejtpërdrejtë dhe jemi krenarë që këta djem dhe vëllezër, baballarë të Shqipërisë, kanë dhënë jetën dhe kanë derdhur gjakun për Kosovën, për çlirimin e saj për vëllezërit dhe motrat tona të gjenezës shqiptare”, u shpreh ai.

Profesori i historisë Arben Arifi deklaroi se shqiptarët e Kosovës e kanë pasur Shqipërinë ideal dhe shpresë. Sipas tij, nëse nuk do të eksitonte një shpresë e tillë për shqiptarët e Kosovës atëherë realiteti sot mund të ishte krejt tjetër.

“Shqipëria çdoherë ka shkuar përtej të mundurës sepse ne e kemi pasur Shqipërinë shpresë, e kemi pasur Shqipërinë ideal, çdo gjë që e kemi shpresuar e kemi shpresuar te këta, dhe merreni me mend po të mos ishte kjo shpresë, po të na vritej kjo shpresë do të ishim në fund të greminës, nuk do të kishim qenë ku ishim sot por do të ishim të harruar gjatë historisë”, tha Arifi.

Ekspozita “Kontributi i shtetit amë Shqipërisë për çlirimin e Kosovës 1998-1999” do të qëndrojë e hapur për vizitorë për dy javë në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Shpërndaje në

U Kopjua