Live

90 milionë euro për rrugën drejt BE-së, ambasadori gjerman: Përkushtim i fortë për integrimin evropian të Kosovës

09:08 / 01 Maj 2024

Nga Kosova Live

Gjermania do ta mbështesë Kosovën me 90 milionë euro për dy vitet e ardhshme, nga të cilat 20 milionë do të jenë grante.

Kështu u bë e ditur dje në një komunikatë për media nga Ministria e Financave.

E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se mbështetja prej 90 milionë euro për dy vitet e ardhshme nënvizon përkushtimin e për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Negociatat e suksesshme të qeverisë mes Kosovës dhe Gjermanisë u përfunduan dje, rezultojnë në një mbështetje shtesë prej 90 milionë eurove për Kosovën për dy vitet e ardhshme, nga të cilat 20 milionë euro janë grante. Kjo nënvizon përkushtimin tonë të fortë për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rohde.

Siç u bë e ditur gjatë ditës së djeshme, Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë 90 milionë euro.

Më atë synohet mbështetje për dy vjet, ku 20 milionë janë në formë të granteve.

“Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, u tha në njoftim. 

Shpërndaje në

U Kopjua