Live

Shqiprim Arifi: Çështja e targave, vendim adoleshent dhe amatoresk

12:08 / 15 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Gazetare: Krenare Tahiri


Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë ekskluzive për kosovalive.net, ka paraqitur edhe njëherë kërkesat e tij në involvimin e lidershipit të Luginës në procesin e dialogut dhe në përfshirjen e reciprocitetit më shumë në të drejtat e shqiptarëve në këtë pjesë, dhe jo çështjet teknike siç i quan ai, vendimet e targave nga ana e Qeverisë Kurti.

“Unë me vite kërkoj që lidershipi i Luginës të jetë i involvuar në bisedime, ashtu siç është i involvuar lidershipi serb në këtë dialog. Edhe me vite kërkoj që të ngrihet paralelizimi me situatën e shqiptarëve të Luginës me atë të serbëve në veriun e Kosovës, dhe kështu të ndërtohet ideja e reciprocitetit”

Arifi ka theksuar se këto kërkesa si dhe atë të zbatimit të reciprocitetit ai i ka paraqitur vazhdimisht tek secila Qeveri që ka qeverisur në Kosovë, dhe sipas tij nëse procesi i reciprocitetit nuk ishte kërkuar nga ai, kjo çështje nuk do ishte tashmë në tavolinë.

“Po, mos me ia pasë paraqit ai nuk e kish ngritur çështjen e reciprocitetit në këtë dialog tash. Për mua përfaqësimi i Vetvendosjes në këtë dialog është dialog është shumë subjektiv dhe këtë e shohim edhe me inkludimin e zonjës Sinani aty që thuhet është përfaqësuese e Luginës, e nuk është përfaqësuese e Luginës, është këshilltare tani e kontraktuar nga Albin Kurti në kryeministrin e tij” ka theksuar Shqiprim Arifi.

Tutje ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, për vendimin e targave duke e quajtur si vendim amatoresk dhe qesharak dhe një pjesë teknike e që ka pasur gjëra më me rëndësi për t’u shtruar e diskutuar.

Unë kam qenë me muaj të tërë sivjet, shumë kritik ndaj çështjes së ngritjes së targave në kuadër të reciprocitetit. Kjo për mua ka qenë qesharake prej momentit të parë, dhe sot po del që është pak adoleshente dhe amatoreske në aspektin politik të flasim për targat. Targat janë çështje teknike që është minimalja e potencialit të reciprocitetit, ne duhet të ngrisim reciprocitet në kuadër të të drejtave të njeriut” përfundoi Arifi

Shpërndaje në

U Kopjua