Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, thotë se ende nuk e ka pranuar vendimin e shkarkimit që iu bë nga kjo pozitë këtë të enjte nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Brahimaj për Kosovalive.net, duke shtuar se do t’i ndjek rrugët ligjore.
“Jo ende nuk e kam marr vendimin, e po sa ta marr vendimin do të deklarohem, dhe po ashtu do të ndjek rrugët ligjore. Nuk kisha dashur të them diçka me tepër sepse kur t’a marr vendimin, e sigurisht do të marr vendimin, do të ketë një reagim të detajuar”, ka bërë të ditur vetë ai.
I pyetur se në çfarë faktesh bazohet shkarkimi i tij, ai ka deklaruar se nuk ka fakte se pse e kanë shkarkuar.
“S’ka kurrfarë faktesh, kjo është komplet e pabazë, e për këtë pyetni ata që më kanë shkarkuar e jo mua, ky vendimi është i pabazuar askund”, ka deklaruar Brahimaj.
Kosovalive,net, nga burimet brenda Inspektoratit Shëndetësor, ditë më parë raportoi për disa shkelje, e ku vetë shefi i kardiokirurgjisë Brahimaj kishte futur në operim dhjetëra raste për shkak të njohjeve ose lidhjeve që i ka pasur me pacientët. Në bazë të këtyre gjetjeve inspektorati ka konstatuar se Brahimaj ka bërë favorizime dhe se e ka shkelur kështu rregulloren e ShSKUK’së.
E për këtë, Kosovalive.net, ka pyetur edhe vetë Brahimajn, por i njëjti e ka mohuar këtë duke thënë se, nuk dëshiron të përfshihet në këtë çështje sepse nuk është temë diskutim kjo.
“Jo, kjo aspak nuk është e vërtetë dhe nuk kisha dashur të përfshihem në këtë çështje sepse nuk është temë diskutimi, pra jo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar ai.
Masa e shkarkimit për Brahimajn erddhi pasi gjatë javës së kaluar ndodhi një rast i rrallë, ku një pacient vdiq pas një operacioni dhjetë orësh nga çarja e aortës (operim në zemër).
I gjithë procesi ishte xhiruar dhe u publikua si operim i suksesshëm nga kirurgu që mori pjesë, Kushtrim Shala. Tashmë i shkarkuari, ish-drejtori Brahimaj, pati deklaruar se kirurgu Shala,( Edhe pse ishte pjese e ekipit të tij) ishte i papërvojë për këtë operacion ndërkohë që pati bërë të ditur se ishte në pushim në kohën kur ishte kryer operacioni, duke heqë kështu përgjegjësinë nga vetja./Kosovalive.net/