Live

Shtrenjtimi i kurbanit nuk ndalon besimtarët ta kryejnë obligimin e tyre fetar – çmimi i deleve nga 230 deri 300 euro

11:12 / 15 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Therja e kurbanit vazhdon të jetë një ritual i rëndësishëm fetar e kulturor që përcakton Kurban Bajramin. Besimtarët myslimanë, siç thonë ata, i përgjigjen thirrjes së Zotit për bamirësi, derisa njohësit e fesë potencojnë se qëllimi i këtij akti është afrimi me Zotin. 

Rritja e çmimit të kurbaneve, pavarësisht se po krijon pakënaqësi te blerësit, kjo nuk i ndalon ata për ta kryer këtë obligim fetar.

Imami i Xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi thotë se kurbani si akt daton që nga njeriu i parë, Ademi, derisa potencon se qëllimi i therjes së kurbanit është afrimi me Zotin dhe bamirësia.

Për KosovaPress Maliqi tregon se ndarja e mishit të kurbanit duhet të bëhet në tri pjesë, një për veten, një për familjarët dhe tjetrën për nevojtarët, jetimët apo edhe të tjerë.
Blerja e kurbaneve nga qytetarët e besimit islam bëhet nëpër ferma apo edhe vende të tjera.

Një fermer i cili nuk ka dëshiruar të prononcohet ka deklaruar se çmimi i deleve fillon nga 230 deri në 300 euro.

Ani pse çmimet janë ngritur, besimtarët myslimanë po vazhdojnë ta bëjnë prerjen e kurbanit.

Dita e parë e Kurban – Bajramit është të dielën më 16 qershor 2024. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Shpërndaje në

U Kopjua