Live

Shtyhet deri me 25 nëntor afati për aplikim të subjekteve politike

16:30 / 21 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Gazetar: Çlirim Qeriqi


Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet në veri është shtyrë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në prononcim për kosovalive.net tregoi se afati për aplikim është shtyrë deri me 25 nëntor.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës, e cila ka përfunduar para orës 16:00. Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022”, tha Elezi.

Tutje Elezi tha se deri më tani KQZ ka pranuar dy aplikime të subjekteve politike për certifikim.

“Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022. Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i ka fillur më 15 nëntor, ju njoftoj se deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim. Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, përfundoi ai./kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua