Live

Shtyhet gjykimi ndaj gjinekologut të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

14:22 / 04 Prill 2023

Nga Kosova Live

Në mungesë të ekspertëve Syheda Latifi-Hoxha, Ahmet Panxhaj dhe Albert Lila, ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj gjinekologut Hajriz Dërguti, i cili po akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Dërguti po akuzohet nga Prokuroria se më 2008 kishte përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit, duke i shkaktuar lëndime të rënda të miturit T.G, i cili që nga lindja ka mbetur në karrocë invalidësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e ekspertëve, gjykatësja Sulltane Hoti, tha se gjykata i ka kontaktuar të njëjtit, por që deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim.

Ndërkaq, prokurori Paulin Pashku, i akuzuari Hajriz Dërguti me mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Gashi dhe i dëmtuari Naim Gogori, me avokatin Hamdi Podovorica, kanë qëndruar pranë propozimit për t’i dëgjuar ekspertët.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë në kohë të pacaktuar, kurse për seancën e radhës gjykatësja Hoti tha se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 prill 2019, e kishte shpallur fajtor Hajriz Dërgutin duke i shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 1 viti, për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, pasi që sipas aktakuzës, i njëjti kishte përdorur metoda të papërshtatshme mjekësore gjatë lindjes së të dëmtuarit T.G.

Sipas aktgjykimit të shpallur, me rastin e matjes së dënimit, gjykata ka marrë për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese, ku si rrethanë rënduese ka gjetur se i mitur T.G. ka mbetur me pasoja të përhershme që nga lindja.

Mirëpo, pas ankesave të palëve në procedurë, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit më 6 shkurt 2020, me vendimin që kjo çështje të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ku një nga sugjerimet e Apelit kishte qenë që të zhvillohet një ekspertizë mjeko-ligjore për rastin në fjalë.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 31 gusht 2016, në QKUK, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë, më 13 korrik 2008, specialisti i gjinekologjisë, i akuzuari Hajriz Dërguti kishte përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit dhe gjatë lindjes së të dëmtuarit T.G, i kishte shkaktuar lëndime të rënda në regjionin e kokës dukë ia dëmtuar rëndë shëndetin.

Në aktakuzë thuhet se këto dëmtime më vonë ishin konstatuar gjatë kontrollimeve mjekësore, sepse me rastin e lëshimit të fëmijës nga klinika dëmtimet nuk ishin shënuar në fletëlëshim.

Prokuroria të akuzuarin Dërguti e ngarkon me veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas nenit 219 paragrafit 4, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...