Një plan i transmetuar në televizionin shtetëror rus përmban detaje rrëqethëse rreth qëllimeve reale të Rusisë.
Prezantuesi i televizionit kombëtar rus dhe mbështetësi i afërt i Kremlinit, Vladimir Solovyov, i mbajti lotët teksa reflektonte mbi atë që kishte mësuar prej ushtarëve rusë në vijën e frontit, duke pretenduar mes të tjerash se ata do të marshonin drejt Uashingtonit për ta fituar luftën në Ukrainë.
Momenti u nda me publikun anglisht-folës nga gazetarja e Daily Wire, Julia Davis, në faqen e saj në Twitter këtë të martë dhe ka nisur të qarkullojë në internet.
Davis shkroi në një postim në Twitter: “Propagandisti kryesor rus Vladimir Solovyov luftoi me lotët, ndërsa diskutoi për vizitën e tij në vijat e frontit, ku trupat ruse, të cilët ai i përshkroi si ‘intelektualë’ e informuan për qëllimin e tyre për të marrë Berlinin dhe Uashingtonin”.
Solovyov tha gjithashtu se ushtarët rusë mbetën të vendosur për të vazhduar luftën kundër ukrainasve dhe ishin të bindur se ata po luftonin nazistët.
Ai shtoi se : “Shumë prej tyre kanë lindur në territoret që u pushtuan më vonë, më i riu atje është 24 vjeç.
“Ata janë të gjithë me përmasat e mia, domethënë nuk janë tejet të gjatë, ata janë intelektualë, gjuha e tyre ruse është e shkëlqyer.”
Solovyov më pas vazhdoi të fliste për një flamur të fitores ruse, i njohur gjithashtu si Flamuri Sovjetik i Fitores, që ushtarët kishin në atë që dukej se ishte bunkeri i tyre.
Ai vazhdoi: “Ata thanë: “Si hapi ynë i ndërmjetëm, ne duhet të kthejmë flamurin tonë”.
“Unë thashë: “Por ishte në Berlin”, dhe ata thanë: “Dhe ne do ta kthejmë në Berlin”.
“Të gjithë ata janë njerëz shumë seriozë, ata nuk kanë asnjë dyshim se për kë po luftojnë apo për çfarë po luftojnë, ata po luftojnë kundër nazistëve.”
Solovyov gjithashtu vuri në dukje se ushtarët i thanë se do të luftonin për aq kohë sa ishte e nevojshme. Ai gjithashtu theksoi sesi ushtarët flisnin për Amerikën.
Ai tha: “Ata thanë: “Ne do të marshojmë deri në pellgun e madh, mbase do të na duhet të marrim edhe Uashingtonin. Do ta arrijmë këtë pak më vonë. Derisa t’i çojmë në moçal, derisa vetëm dora e tyre të duket ndërsa ata luten: “Më ndihmoni, më ndihmoni, pastaj do të vendosim se çfarë do të bëjmë me ta”.
Ndërsa fliste me një të ftuar në emisionin e tij, i cili tha se shumë rusë tani e njihnin shumë mirë Londrën, Solovyov bëri shaka se rusët atje do t’u jepnin trupave udhëzime kur të marshonin në qytet.
Ai tha: “Unë mund të imagjinoj trupat tona duke hyrë në Londër, djemtë tanë duke ikur nga baret dhe duke bërtitur: “Djema, kthehuni majtas, kthehuni djathtas! Ne ju kemi pritur këtu për një kohë të gjatë”. Partizanët rusë në aksion! /Euronews.al