Nën organizimin e Cyber Security and Privacy dhe UBT, është mbajtur konferenca shkencore “Challenges in Cyberspace II”, ku ekspertët kanë trajtuar çështje lidhur me kuptimin e hapësirës kibernetike, sfidat, si dhe për rreziqet që i kanosen Kosovës në hapësirën kibernetike.
Hapjen e konferencës e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Harjizi, i cili theksoi se institucioni që ai drejton vazhdon të mbetet model ne rajon për nga programet akademike që lidhen me këtë fushë. Sipas tij, UBT është edhe institucioni i vetëm arsimor që ka krijuar CERT-in e akredituar dhe anëtarësuar në organizata të mëdha botërore.
Tutje, rektori Hajrizi potencoi se UBT gjeneron dije dhe njohuri të reja të përdorimit dhe për digjitalizimin, ku po përgatit gjenerata profesionale në fushën e sigurisë. Njëherësh, ai tha se institucioni ka potencial dhe vazhdimisht organizon të tilla ngjarje që i kushtohen hapësirës kibernetike.
“E mbështesim dhe e përkrahim çdo iniciativë që ndërlidhet me sigurinë kibernetike. Të gjenerojmë dije të reja, të krijojmë njohuri të reja. Aspekti i sigurisë është një çështje që merr paralizë të gjitha rrugët e digjitalizimit. Siguria nuk është model i mbyllur që mund të garantohet, kjo mbetet sfida që duhet më shumë punë. Të definojmë si faktor të rëndësishëm. Studentët të familjarizohen me ambientet, njohurit që kur të dalim në tregun e punës të jenë sa më mirë dhe praktikë. Të krijojmë një platformë bashkërisht që Kosova të jetë sa më e sigurt”, ka thënë rektori Hajrizi.
Përfaqësuesi në OSBE, Giovanni Di Persio, tregoi se janë duke u përatitur projekte për vitin 2020, që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe edukimin e institucioneve dhe të rinjtë.
“OSBE ka shumë interes për sigurinë kibernetike. Për vitin 2020 jemi duke përgatitur aktivitete me institucionet. Projektet janë referuar për institucionet dhe gjeneratën e re”, tha ai.
Mentor Hoxhaj nga CSP, ka paraqitur sfidat me të cilat Kosova po përballet në lidhje me sigurinë kibernetike dhe privatësinë.
“Banorët e hapësirë kibernetike nuk janë të njohur si qytetarë të Kosovës është një sfidë e madhe. Duhet të lidhemi llogarinë më vendet tjera. Sfidë e veçantë paraqet mos njohja e shteteve për Kosovën në sigurinë kibernetike dhe privatësinë”, tha Hoxhaj.
Drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi, potencoi se vendi ynë duhet t’i shfrytëzojë kuadrot e reja e mos të lejojë të ikin në vendet evropiane.
Tutje, Gashi ka përmendur hapat konkret që janë ndërmarrë në lidhje me sigurinë kibernetike dhe privatësinë.
“Ne si institucione kemi nevojë të marrim kuadro të reja, ti shfrytëzojmë si resurse e jo këto kuadro të gjejnë vetën në tregun e jashtëm. Institucionet e Kosovës kanë një infrastrukturë të konsoliduar për rritjen e sigurisë kibernetike në institucione por sfidat janë evidente. Kemi marr hapa konkret siç është sistemi ligjor në lidhje me sigurinë kibernetike, disa mekanizma institucional, menaxhimi i aspekteve dhe infrastrukturës. Krijua këshilli kombëtar për siguri kibernetike, Struktura përkatëse në institucione të cilët janë përgjegjës për teknologji”, tha ai.
Ai ka njoftuar se e arritur institucionale është ndërtimi i qendrës për ruajtjen e të dhënave e cila përmban 350 serverë fizikë dhe vizualë, duke shtuar se në vitin e ardhshëm do të ndërtohet dalje në internet e cili do të afektojë hapësirat në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore.