Live

Specialja i jep “paralajmërimin e fundit” Nasim Haradinajt: Çdo shkelje tjetër do të rezultojë me kthimin e menjëhershëm në paraburgim

11:35 / 18 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar Nasim Haradinajn që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit, duke thënë se Haradinaj ka zhvilluar intervista në media “pa kërkuar paraprakisht leje”.

Në komunikatën për media, Trendafilova tha se i ka dhënë paralajmërimin e fundit Haradinajt për këtë, duke shtuar se “çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit”.

“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatë.

Nasim Haradinaj  ishte liruar me kusht në dhjetorin e 2023-s, pasi kishte vuajtur dy të tretën e dënimit të tij. Në njoftimin  e Speciales, thuhej se Haradinaj është zotuar se “nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”.

Këto janë kushtet që Specialja i ka vënë Haradinajt pas lirimit:

-garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;

-të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;

-të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;

-Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;

-të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;

– të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;

– të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në;

– të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);

– të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;

-të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

Shpërndaje në

U Kopjua