25 nëntori është Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, por kjo ditë gruan kosovare e gjen në një pozitë të pafavorshme. Po në këtë ditë, vendi u trondit me një vrasje të një gruaje në Prishtinë.
Një burrë 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij 63 vjeçe sot në kryeqytet, ndërkaq Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë ka dërguar sot mesazhe, ku kërkon të raportohet dhuna, shkruan Kosovalive.net.
Dhuna ndaj grave- dukuri shqetësueses në Kosovë:
Dhuna ndaj grave është një dukuri shqetësuese në shoqërinë tonë, madje shpeshherë përfundon edhe me fatalitet. Përgjatë viteve janë raportuar shumë raste të dhunës familjare, kryesisht ndaj grave, të cilat kanë përfunduar edhe në fatalitet.
Ndonëse institucionet vazhdimisht thonë se po angazhohen, madje po bëjnë edhe fushata vetëdijesuese kundër dhunës në familje, të dhënat po e tregojnë të kundërtën.
Çdo ditë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, raportohet për dhunën ndaj tyre. Ndërkaq, Policia e Kosovës në një përgjigje për Kosovalive.net, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar- tetor të këtij viti kanë ndodhur 4 vrasje të grave në Kosovë.
“Gjatë periudhës janar- tetor të këtij viti kanë ndodhur 4 vrasje të grave në Kosovë, ndërsa në vitin 2021 ndodhën 3 vrasje, ndërkaq në vitin 2020 ndodhën 7 vrasje të grave në Kosovë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Përgjatë këtij viti Policia e Kosovës, ka evidentuar 2273 raste të dhunë në familje.
“Në vitin 2022 janë evidentuar 2273 raste të dhunë në familje, ndërsa në vitin 2021 janë evidentuar 2456 raste të dhunë në familje, në këto raste kanë qenë 2486 viktima”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës, në një përgjigje për Kosovalive.net.
Vrasjet e grave që tronditën Kosovën në vitet e fundit
Rasti i fundit që tronditi shoqërinë kosovare është në fillim të këtij vitit, ku një 48-vjeçare mbeti e vrarë si pasojë e plagëve të marra nga gjashtë plumba të qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari, bashkëshorti i saj.
Lirije Qerimaj nga fshati Llaushë i Skenderajt u qëllua për vdekje nga burri i saj S.Q., në mesditën e së mërkurës së 5 janarit. 48-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe përafërsisht pas një ore vdiq në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Por, rasti i L.Q. nuk është i vetmi që alarmoi vendin.
Përgjatë vitit 2021 ndodhën edhe dy vrasje të tjera, që ende nuk kanë marrë epilog.
I tillë është ai i 18 vjeçares Marigona Osmanit, e cila fillimisht u keqtrajtua e pastaj u la të vdes të dielën e 22 gushtit në Ferizaj. Ajo u dërgua pa shenja jete në emergjencën e këtij qyteti nga dy të dyshuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
8 gra u vranë nga familjarët për dy vjet në Kosovë, në 4 raste jetën ua morën bashkëshortët
Marigona Osmani dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, pasi ky i fundit dyshonte se e ndjera e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Kësisoj, Krivaqa dyshohet se kishte ushtruar dhunë psike dhe fizike ndaj Marigona Osmani deri në momentin kur ajo kishte ndërruar jetë.
Një rast pothuajse për motive të njëjta ishte edhe ai i 14 marsit 2021, ku një 40-vjeçare kishte mbetur e vrarë nga ish-bashkëshorti i saj 45-vjeçar.
45-vjeçari dyshohej se kishte vrarë ish-gruan e tij për motive xhelozie, ku pasi kishte vrarë atë, e kishte ekzekutuar edhe veten.
Ky nuk ishte rasti i vetëm për dhunë në familje, që ishte paraqitur në polici nga 40-vjeçarja. Ajo e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj edhe dy herë të tjera, porse në asnjë rast nuk kishte pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.
Nga plagët e rënda të shkaktuara nga goditjet me shufër metalike, vdekjen e kishte gjetur edhe S.M. nga Kamenica në korrik të vitit 2020.
Sipas aktakuzës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën, ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e kishte goditur në dorën e majtë edhe në kokë, e cila pasi ishte rrëzuar në dysheme, përsëri kishte vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Nuhi Mavrovqani kishte pranuar veprën e kryer dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Por, më 5 tetor të vitit 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor Nuhi Mavrovqanin, duke e dënuar me 25 vite burgim.
Nga burgim i përjetshëm në disa vite, rastet kur u ulën dënimet për vrasjet e grave.
Një vrasje tjetër që tronditi Kosovën ishte edhe ajo e Armenda Aliut, gjithashtu nga bashkëshorti i saj, në gusht të vitin 2019.
Çifti kishte pak ditë që kishin ardhur për pushime nga Zvicra në Kosovë. Problemet e çiftit kishin bërë që 61-vjeçari t’ia marrë jetën me armë zjarri gruas së tij, 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit.
Policia kishte gjetur 15 gëzhoja plumbash në vendin e ngjarjes, të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të jetë kryer e gjithë kjo vrasje e rëndë.
Gushti i vitit 2018 ishte viti kur edhe një ngjarje e radhës tragjike përfundoi me vrasje. Këtë herë, V.N. 34 vjeçare u vra së bashku me vajzën e saj 9 vjeçare nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj.
Po në këtë vit kishte ndodhur edhe një vrasje e rëndë e një gruaje tjetër.
S.B. e gjeti vdekjen pasi burri i saj, Isen Berisha, e kishte goditur disa herë me sopatë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E gjithë kjo kishte ndodhur derisa ajo ishte në gjumë.
Përveç vrasjes së gruas, Isen Berisha kishte plagosur edhe renë e tij shtatzënë, e cila kishte tentuar ta parandalojë dhunën. Ajo ishte goditur në kokë dhe në krahun e majtë me sëpatë.
Viti 2015 shënoi edhe dy vrasje tjera, po aq të rënda e po kaq tronditëse.
Më 23 tetor të vitit 2015, Z.B. u vra nga bashkëshorti i saj Nebih Berisha. Vrasja makabër kishte ndodhur në sy të vajzës së tyre të mitur, ku Nebihu e kishte goditur 20 herë radhazi në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale.
Për këtë rast, gjykata kishte vendosur që vrasësi të dënohej me 12 vjet burgim, por pas presionit dhe analizimit të rrethanave dhe mënyrës së vrasjes ky dënim ishte rritur në 17 vjet burgim.
Po në këtë vit vendi u trondit edhe me një nga vrasjet më të rënda, atë të 24-vjeçares D.P., nga Strellci i Deçanit. Donjeta u vra nga kushëriri i saj Naser Pajazitaj.
“Nuk mund ta sjellim të akuzuarin në seancë”, arsyeja e çuditshme e shtyrjes së gjykimit të vrasjes së Donjeta Pajazitajt.
Ishte data 9 nëntor e vitit 2015 kur Donjeta ishte zhdukur, për tu gjetur pas 6 javësh në malet e fshatit të saj të lindjes.
Pothuajse 6 vjet pas rastit, gjykata dha verdiktin final në lidhje me këtë vrasje, duke e dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm, por që në fund të nëntorit 2021, Gjykata e Apelit vendosi që ta anulojë dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt.
Edhe viti 2011 shënoi një tjetër vrasje të një gruaja nga bashkëshorti i saj. Ishte mesditë kur D.K. u vra nga bashkëshorti i saj Adnan Jashari, vetëm disa metra larg shtëpisë.
Ndonëse kanë kaluar 10 vite që nga vrasja e Diana Kastratit, i dyshuari kryesor për vrasjen e saj, Adnan Jashari është ende në arrati.
Gratë në Kosovë shpeshherë hezitojnë ta paraqesin dhunën në familje dhe në disa raste edhe përballen me padrejtësinë, pasi shumë dhunues janë ende të lirë apo gjykimet ndaj tyre akoma nuk kanë përfunduar.
Policia e Kosovës po ashtu, ka bërë të ditur se në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla./Kosovalive.net/